“Metodat që përdor Rama janë intrigante”- Shqipëria si Zvicra? Lubonja i përgjigjet kryeministrit: I them shko dhe shiko si e ke bërë Jugun dhe bregdetin, e pamë dhe me ‘Albanian Files’

Jul 21, 2026 | 18:42

Analisti Fatos Lubonja komentoi sot deklaratat e kryeministrit Edi Rama nga Thethi, ku sulmoi përsëri protestuesit duke i cilësuar si “sharlatanë dhe delirantë”, duke iu përgjigjur se duhet të shkonte të shikonte se si e kishte shndërruar Jugun e vendi dhe bregdetin, duke ia dhënë oligarkëve afër tij dhe krimit të organizuar për të pastruar para.

fatos lubonja

Gjithashtu ai i kujtoi edhe librin “Albanian Files”, ku kryeministri vihet nën akuzë për tjetërsimin e tokave dhe ndërtimet e planifikuara shumë vite më parë.

“Ramës i them shko shiko si e ke bërë Jugun e Shqipërisë me Green Coast-in e Zamirit dhe me ata që të bënë shtëpinë ty. Shiko se çfarë i ke bërë gjithë bregdetit dhe shiko se çfarë i ke bërë Durrësit bashkë me ata banditët për të kuptuar se çfarë Shqipërie si Zvicra po bën Rama, në bregdet, e në jug e ku ka mundur, me Darëzezën, se e kemi parë me Albanian Files, apo që do të bëjë në malet e Shqipërisë, në pronat publike të ndara e të pandara, që t’ia japë krimit të organizuar për të pastruar paratë e nuk e di çfarë shëmtirash, sepse për mua këta janë shëmtira vetëm se vënë aty firmat e arkitektëve”, tha analisti në një lidhje direkte sot për News24.

Dhe më tej shtoi:

“Rama kur thotë që Paketa e Maleve do ta bëjë Shqipërinë një Zvicër i them shko shiko jugun si e ke bërë, për të kuptuar se çfarë Zvicre synon. Do të bësh në male atë që ke bërë në bregdet. Mjafton të shohim Golemin dhe jugun. Do që ta japë atë natyrë të bukur, prona publike dhe private t’ia japë krimit të organizuar për të ndërtuar shëmtira”.

Ai tha se e ka cilësuar si “shtet plaçkitësisht” qeverinë aktuale dhe që duhet të mbajë përgjegjësinë, kurse për kryeministrin vuri në dukje se përdor metoda të ndryshme, forcën dhe intrigat, dinakërinë dhe përçarjen, sipas situatave në të cilat gjendet.

“Shtet plaçkitësish e kam quajtur në një shkrim më parë, përdor forcën por përdor edhe dinakërinë. Ai ka nën kontroll pushtetin, drejtësinë, Policinë, krimin e organizuar. Por kjo forcë dihet se diskreditohet shpejt në Evropë dhe nis atë të përçarjes me anë të flamingove apo sorrave, i fut vetë, i amplifikon, duke shfrytëzuar edhe disa gjëra reale sepse lufta për pushtet kështu është, i minimizon për t’i përçarë. Metodat që përdor Rama janë intrigante, Rama e ka kalëruar këtë sistem dhe tani na përmend sorra e ku di unë tjetër”, tha ai mes të tjerash.

Sipas Lubonjës, qeveria synon t’ua kalojë pasuritë natyrore dhe pronat publike e private interesave të lidhura me krimin e organizuar për zhvillime që, sipas tij, dëmtojnë mjedisin.

“Rama ka me vete drejtësinë, policinë dhe krimin e organizuar, duke krijuar një shtet plaçkitësish. Ai përdor metoda përçarjeje, i amplifikon konfliktet dhe përpiqet ta paraqesë protestën si një pakicë. Se sa të drejtë ka protesta, këtë duhet ta tregojë drejtësia”, tha Lubonja.

Ai bëri analogji edhe me Revolucionin Francez:

“Këtu ‘prerja e kokës së mbretit’ do të thotë largimi i Edi Ramës. Më pas fillon lufta për pushtet brenda lëvizjes, derisa një grup del më i fortë. Prandaj duhen krijuar grupe interesi dhe përfaqësim edhe jashtë Tiranës”.

Lubonja kritikoi edhe sjelljen e opozitës, duke deklaruar se në PD ka nevojë për zëra më të fortë kritikë që të dëgjohen dhe që situate atje të ndryshojë.

Kurse për protestën analisti theksoi se ajo duhet të detyrojë kryeministrin Rama që të japë dorëheqjen, si dhe pika e parë e kryesore e kërkesave.

© Panorama.al

Te lidhura