Analisti Fatos Lubonja u shpreh sot në një lidhje direkte me televizionin News24 se pas protestës dhe rezistencës qytetare prej 52 ditësh, duhet të shkohej në zgjedhje të reja dhe largim të qeverisë së Edi Ramës.
Ai u shpreh se kërkesat e protestuesve janë të panegociueshme. Lubonja u shpreh edhe pro mbajtjes së një Kuvendi të protestës, por jo për të luftuar njëri-tjetrin siç ndodhi në vitin 1945 me Partinë Komuniste, por për t’i përfaqësuar të gjitha grupimet aty brenda.
“Kërkesat e protestuesve janë të panegociueshme. Është edhe psikologjia që dikush të dalë në krye, të marrë drejtimin e dikujt që nesër t’i japë pushtetin. Po të bësh një krahasim si me Partinë Komuniste gjatë luftës, që u bë Konferenca e Pezës në emër të bashkimit dhe më pas në emër të luftës në pushtet. Unë shikoj një problem që duhet zgjidhur dhe që ka të bëjë me demokracinë, se nuk jemi këtu për të vendosur diktaturën e proletariatit. Duhet të shkojmë në zgjedhje, duhet të shprehemi me votën e gjithkujt. Nga grupimet masive lind edhe gara për drejtim të pushtetit. Pas gjithë kësaj proteste duhet të shkojmë në zgjedhje”, tha analisti.
Lubonja shpjegoi edhe procesin e finalizimit të protestës me forume apo një Kuvend, por për përfaqësim të të gjithë grupimeve.
“Pra shkon deri tek ajo si me zhvillimin e Kuvendit. Nuk do isha kundër zhvillimit të një Kuvendi, në protestë ka ideologji të ndryshme. Të bëhet Kuvendi por jo për të luftuar njëri-tjetrin. Protesta ka tipologji të ndryshme, ka mendime të ndryshme, ka të pakënaqur, ka probleme me pronat, ka grupime të ndryshme që kanë vizione të ndryshme, e që duhet të përfaqësoheshin të gjithë aty. E kur krijohet një grup që kërkon të dominojë, si me Partinë Komuniste, vjen ideja e përjashtimit dhe unë jam kundër kësaj. Ka shumë diskurs brenda për përjashtim të të tjerëve dhe unë jam kundër kësaj, ka shumë grupime. Kuvendi është pjesë e luftës e atyre që kanë dalë si përfaqësues të protestës, ca që kanë mikrofonin e drejtojnë, ca të tjerë që thonë kanë uzurpuar mikrofonin e kështu me radhë. Duhet të zgjidhet një përfaqësi që t’i përfaqësojë të gjithë”, vijoi ai.
Lubonja bëri edhe një analogji historike me Revolucionin në Francë, duke deklaruar se qëllimi i protestës duhet të jetë “prerja e kokës” së Ramës, pra largimi i tij nga qeveria.
“Prerja e kokës së mbretit si në Francë, për analogji, këtu është heqja e Ramës. Pra bëhet një betejë se kush del më i fortë aty dhe pastaj ai që del shkel mbi tjetrin, ndaj duhet të jenë të bashkuar në grup. Projekti që ka Rama dëmton Shqipërinë”, tha ai.
© Panorama.al












