Portieri i Kombëtares shqiptare, Simon Simoni, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, teksa së fundmi ka firmosur një kontratë 3-vjeçare për Luzernin në Zvicër.

1.95 metra i gjatë shqiptari u transferua te Ajntraht Frankfurt në dimrin e sezonit 2022/23, pasi zhvilloi 29 ndeshje zyrtare me Dinamon Pas mbërritjes në Gjermani, Simoni luajti kryesisht me ekipin e dytë të Frankfurtit.
Në verën e vitit 2024 ai u huazua te Ingolshtadt 04, që garon në Ligën e Tretë gjermane. Pas gjysmës së sezonit, në dimrin e sezonit 2024/25, kaloi sërish në huazim te Kaiserslautern, në Bundesligën e Dytë. Aty kaloi një sezon e gjysmë dhe zhvilloi gjithsej gjashtë ndeshje zyrtare me klubin.
Në shtator të vitit 2025, Simoni debutoi me Kombëtaren A të Shqipërisë.
Gjatë javës së kaluar, gardiani kuqezi mori pjesë si lojtar në provë në disa seanca stërvitore me FC Luzern dhe të shtunën luajti për 90 minuta në ndeshjen e fundit miqësore të fazës përgatitore kundër St. Truiden. Paraqitja e tij, bindi drejtuesit e Luzernit për t’i ofruar kontratë 3-vjeçare.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











