Aktivisti dhe biznesmeni Erlind Xhindi, i ftuar sot në studion e televizionit “News24”, foli për protestën popullore që sot hyn në ditën e 52-të të rezistencës së saj historike dhe për zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai ndau mendimin se protesta ka arritur qëllimin e saj jo vetëm duke vrarë frikën, por edhe ndaj presionit që ka ushtruar ndaj politikës dhe qeverisë.
Por ai shprehu rezerva për punën e drejtësisë, teksa nënvizoi se SPAK duhet të kishte vepruar me arrestimin e Belinda Ballukut. Xhindi shpjegoi gjithashtu se ata ndodhen në fazën e ngritjes së Forumeve pas Kuvendit të mbajtur dhe se ndërkombëtarët kanë shprehur mbështetjen e tyre.
“Belinda Balluku duhej arrestuar, pritshmëria që kishim nga SPAK nuk u arrit. Ne do dalim nga Kuvendi Qytetar dhe do merremi me Forumet. Nuk do bëjmë pushime, do krijojmë forumet. Atë që prisnim nga ndërkombëtarët, e morëm”, tha ai.
Biznesmeni deklaroi gjithashtu se më 23 korrik do të jetë beteja e radhës e qytetarëve me politikën para Parlamentit:
“Më 23 korrik do të jemi para Parlamentit”, tha ai.
Xhindi akuzoi kryeministrin Rama për mënyrën e qeverisjes, duke e cilësuar atë “mjeshtër të mashtrimit, vjedhjes dhe grabitjes”, ndërsa iu referua edhe zhvillimeve të fundit në Zvërnec, të cilat i cilësoi si shembull të “pengmarrjes” nga ana e qeverisë.
“Duke thënë që Shqipëria do bëhet si një Zvicër e vogël. Ne jemi si shtrirje territoriale një Zvicër e vogël, por me politikanë hajdutë. Politikani i fundit hajdut rastisi dy metra dhe bëri atë që nuk ia bëri dot as Perandoria Osmane Shqipërisë,” u shpreh ai.
Më tej, biznesmeni deklaroi se, sipas tij, qeverisja e Ramës “ka rënë de facto”, duke shtuar se është dobësuar edhe raporti politik mes mazhorancës dhe Partisë Demokratike.
“Protesta ka ushtruar shumë trysni ndaj qeverisë aktuale. Tipologjia e mendimit të zotit Rama është e njëjta, është mjeshtër i mashtrimit i vjedhjes grabitjes tani është bërë mjeshtër i pengmarrjes si asaj që ndodhi herën e fundit në Zvërnec. Duke thënë që Shqipëria do bëhet si një Zvicër e vogël. Ne jemi si shtrirje territoriale, jemi një Zvicër e vogël, por jemi me politikanë hajdutë. Politikani i fundit hajdut rastisi dy metra dhe i bërë atë që nuk ia bëri dot as perandoria osmane Shqipërisë. Zoti Rama dhe qeverisja e tij de facto ka rënë, por jo vetëm. Ka rënë edhe ndërveprimi që ka pasur me opozitën, me PD”, u shpreh Xhindi.
Në fund ai foli për tronditjet që kanë pësuar dy formacionet e mëdha politike në vend si pasojë e protestës popullore.
“Kohët e fundit PD nisi urgjent ristrukturimin. Zoti Rama ka nisur, hedh tendenca për të krijuar qeverinë e re direkt tani. Ka aludime se të premten Rama ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme dhe mund të ketë ndryshime, ky është aludim, për ndryshime në qeveri. Por kjo nuk ndryshon asgjë”, tha ai.
Xhindi u ndal edhe te nisma e quajtur “Kuvendi”, duke pranuar se nuk ka funksionuar sipas pritshmërive dhe duke bërë të ditur se organizatorët kanë vendosur të tërhiqen përkohësisht nga kjo iniciativë.
“Tani nuk është më një protestë, por një lëvizje që përfaqësohet nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nga të gjitha pakënaqësitë ndaj kësaj qeverisjeje 36-vjeçare. Aty ka elektorat të majtë, të djathtë, pjesëtarë të partive të vogla dhe qytetarë pa përkatësi politike. Ata kanë një pakënaqësi të palëkundur me të 140 deputetët e Parlamentit”, deklaroi ai.
Xhindi tha se protesta ka sjellë edhe reagime në arenën ndërkombëtare, duke përmendur praninë e eurodeputetëve në shesh.
“Shqipëria në arenën europiane u përfaqësua nga vetë ne. Eurodeputetët erdhën në shesh dhe shprehën se populli është gati për Europën, por qeveria jo”, tha aktivisti.
Në intervistë, biznesmeni hodhi akuza edhe ndaj qeverisë për mënyrën e menaxhimit të fondeve publike, ndërsa kritikoi ashpër opozitën.
“Opozita nuk ekziston që nga viti 2019, që nga djegia e mandateve. Jemi në këtë pikë sepse opozita ka bërë një tradhti kombëtare. Zoti Berisha mund ta mbështesë protestën nga divani apo nga zyra, por nuk e ka mbështetur realisht. Ai duhej të ishte i pari që të largohej dhe të mbante përgjegjësi”, nënvizoi ai.
© Panorama.al












