METE “në ankand” 151 zona minerare në vend

Oct 7, 2011 | 11:51

Rreth 151 zona minerare në vend do të nxirren në ankand deri në fund të këtij viti. Ministria e Ekonomisë ka përfunduar edhe paketën ligjore lidhur me këtë plan, së bashku me specifikat që do të ndiqet për çdo rast. Në një njoftim të METE-s bëhet me dije se kjo nismë vjen në kuadër të reformimit të sektorit minerar. Risitë e kësaj pakete ligjore konsistojnë në miradministrimin e pasurive minerare dhe shfrytëzimin racional të tyre, si dhe në një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit. Kështu, mbi bazën e një plani vjetor minerar, deri në fund të këtij viti, nga ana e Ministrisë synohet që të realizohen procedurat e konkurrimit për 151 zona minerare, si dhe për rreth 20 objekte minerare dhe mbetjesh minerare të ish-ndërmarrjeve shtetërore. E përllogaritur kjo në ndarje javore, nga ana e METE-s është menduar që çdo javë procedurat e konkurrimit të zhvillohen për 20 zona konkurruese. Aktualisht nga kjo ministri deri tani janë publikuar 36 zona. Ndërkohë që kjo e fundit u bën thirrje të gjithë të interesuarve që të marrin pjesë në këtë proces, i cili, sidomos përgjatë këtij viti, ka qenë në fokus si prioritet. Fillimisht u miratua legjislacioni për sektorin minerar dhe më pas AKBN ka vlerësuar situatën për shumicën e zonave minerare dhe për një pjesë të mirë të atyre që nuk kanë zbatuar detyrimet, METE ka marrë edhe masa drastike të revokimit të lejeve.

© Panorama.al

Te lidhura