
Tre ekspertët e caktuar nga Gjykata e Lartë kopjuan dje dhe morën në dorëzim nga Prokuroria e Përgjithshme video-përgjimin e realizuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, më 10 mars 2010. Pak ditë para paraqitjes në Gjykatën e Lartë për konkluzionet e ekspertizës, tre specialistët e zgjedhur për këtë ekspertim, Ardian Pollo, Ermal Zeqiri dhe Artur Rrahmani, u paraqitën dje në Prokurorinë e Përgjithshme. Organi i akuzës, sipas kërkesës së bërë më parë nga pala mbrojtëse, por edhe nga Gjykata e Lartë, thirri në këtë proces edhe avokatët e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Në prani të avokatëve dhe prokurorëve, tre ekspertët kanë marrë regjistrimin nga disku origjinal që zotërohet prej prokurorisë. Mbi këtë kopje të realizuar ditën e djeshme, grupi i specialistëve do të ekspertojë vërtetësinë e regjistrimit dhe autenticitetin e materialit për të paraqitur më pas një raport në Gjykatën e Lartë. Prej disa ditësh ekspertimi i videos ishte bllokuar për shkak se Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë kërkuar që veprimet me video-përgjimin të bëhen vetëm më programe kompjuterike të licencuara, pa cenuar në asnjë rast të drejtën e autorit. Edhe dje, prokurorët mësohet se janë konsultuar për më shumë se një orë mes tyre nëse duhej ta jepnin në dorëzim materialin në fjalë. Gjykata e Lartë i ka paralajmëruar ekspertët për pavlefshmëri të ekspertimit në rast se gjatë veprimeve të tyre përdorin programe të palicencuara. Tre ekspertët e caktuar nga gjykata mësohet se kanë pritur që videoja t’u vihej në dispozicion nga prokuroria deri pak ditë më parë. Pasi kanë marrë konfirmimin se prokuroria nuk e zotëronte programin që lexonte diskun dhe kryente kopjimin e materialit, specialistët kanë vendosur ta kryejnë vetë këtë veprim duke vënë në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme mbi këtë fakt. Video-përgjimi “Meta-Prifti” konsiderohet si prova mesore e procesit të hapur nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta me akuzën e korrupsionit. Në fazën e hetimeve paraprake, para se t’i drejtohej Kuvendit me kërkesën për heqje imuniteti, Prokuroria e Përgjithshme pati kryer ekspertizë në SHBA mbi video-përgjimin. Specialisti amerikan e konsideroi të papërpunuar dhe të saktë videon e regjistruar mes Metës e Priftit në zyrën e këtij të fundit, por Gjykata e Lartë deklaroi se Prokuroria e Përgjithshme e kishte kryer këtë ekspertim me anë të letër-porosive që kishin shmangur Ministrinë e Drejtësisë, ndaj edhe rezultati u anulua.
Prifti, dëshmitari i radhës
Pas paraqitjes së raportit të ekspertëve në lidhje me vërtetësinë e video-përgjimit, prokuroria do të kërkojë fillimin e pyetjes së dëshmitarëve. I pari në listë është Dritan Prifti, personi që ka kryer regjistrimin e fshehtë dhe bashkëbiseduesi i Ilir Metës në përgjimin objekt gjykimi. Prokuroria kërkoi që në fillim pyetjen e Dritan Priftit, mirëpo Gjykata e Lartë vendosi njëherë kryerjen e ekspertizës së videos dhe më pas vazhdimin e procedurave me dëshmitarët. Pas raportit të tre ekspertëve, i pari që do të dëshmojë është ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.
TRAZHGIM SOKOLAJ











