Tre ekspertët e video-regjistrimit “Meta-Prifti” do të paraqiten sërish ditën e hënë në Gjykatën e Lartë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të Prokurorisë dhe avokatëve.
Këtë radhë “misioni” i tyre është dhënia e përgjigjjeve për një mori pyetjesh të drejtuara dje nga pala e akuzës dhe mbrojtjes të ish-zv. kryeminstrit Ilir Meta. Në seancën e djeshme në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Meta, të akuzuar për “korrupsion”, palët shfaqën paqartësitë e tyre në lidhje me ekspertimin e paraqitur një seancë më parë nga tre ekspertët. Kolegji Penal që po shqyrton dosjen në ngarkim të Metës “filtroi” dje pyetjet e lexuara nga palët, duke shmangur disa prej tyre si sugjestionuese, pra, që ndikonin te përgjigjet e tyre. Pas disa orësh në dhomën e këshillimit, Kolegji përjashtoi plotësisht dy prej 38 pyetjeve të paraqitura nga Prokuroria, si edhe shkurtoi disa nga nënpyetjet në dhjetë pyetje të tjera. Gjashtë pyetjet e paraqitura nga avokatët e Metës u pranuan që të gjitha. Mënyra e pyetjes së ekspertëve shkaktoi kundërshti mes Kolegjit Penal dhe përfaqësuesit të Prokurorisë. Nga ana e tij, prokurori Bujar Sheshi kërkoi që përgjigjjet t’i merrte direkt në proces. Por kjo u kundërshtua nga ana e kryesuesit të seancës, sipas së cilit, ekspertëve mund t’u nevojitej kohë për t’u përgatitur për dhënien e përgjigjes. Ky pretendim u ngrit edhe nga vetë ekspertët që në momentin e leximit të pyetjes së parë nga prokurori, me të cilin kërkohej te dihej nëse “mjeti regjistrues ka qenë i instaluar në një orë, përderisa gjatë gjithë kohës dëgjohet tik-taku i saj, apo jo?”. “Ngërçi” nuk u zgjidh sakaq, pasi prokurori pretendonte se në varësi të përgjigjes për pyetjen e parë, do të ishte edhe përgjigja e tij për pyetjen vijuese. Në përfundim, gjykata kërkoi vënien në dispozicion të të gjitha pyetjeve nga palët.
PYETJET
Një total prej 42 pyetjesh kryesore e në vijim disa nënpyetje të tjera të rrjedhura prej tyre janë “provimi” i radhës i tre ekspertëve që ekspertuan videon “Meta-Prifti”. Para se ato t’u dorëzoheshin ekspertëve, kaluan në “skanerin” e Gjykatës, e cila shmangu pyetjet sugjestionuese. Kolegji “shpëtoi” ekspertët edhe nga disa pyetje të prokurorisë, të cilat kishin të bënin me numrat e licencës së programeve informatike të përdorura për kryerjen e etapave të ndryshme të ekspertimit, si edhe çelësat e tyre. Më herët, kur këto pyetje u lexuan në seancë, ekspertët shfaqën pakënaqësinë e tyre, duke pohuar se “po ndjehemi si në bankën e të akuzuarve, pasi çelësi i licencës është personal dhe sekret”. Kryesisht në pyetjet e tyre, prokuroria këmbëngulte në mbivendosjen e tik-takut të orës. Ata kërkonin shpjegime nga ekspertët nëse “tik-taku” i tepërt mund të ishte një zhurmë nga jashtë, apo se ora mund të ishte thjeshtë maskim i regjistruesit dhe jo mirëfunksionale. Njëkohësisht, pro-kurori kërkonte shpjegim edhe sa i përket faktin se pse videoja klasifikohej me zhurmë tej normave, kur një pjesë e saj dëgjohet me vesh të lirë. Ndërsa nga pyetjet pikante të mbrojtjes, ishte kërkesa për sqarimin e “ndërhyrjes” në lap-top, në shkurt 2011, kohë kur pajisja ishte në Prokurorinë e Përgjithshme.
Nga pyetjet e Prokurorisë
* Keni thënë se në memorien e orës kishte gjurmë të konsiderueshme imazhesh “BMP” të fshira që nuk e kanë origjinën e tyre nga kamera orë. A mund të përcaktoni se çfarë përfaqësojnë këto? Mund të jenë ato pjesë e ndonjë programi të përdorur për të fshirë regjistrime, pra për të fshirë edhe videon objekt ekspertimi?
* A mund të thuhet se kur lap-top-i ka qenë funksional në kohën që në të është hedhur video e regjistruar, ora e bios-it të tij ka qenë e njëjtë me kohën reale?
* Sa mendoni ju se është koha minimale që mund të duhet për të bërë një ndërhyrje të qëllimshme për të tjetërsuar një material audio-viziv?
* A do të linte gjurmë në video ndërhyrja në regjistrim, në të njëjtin lap-top? Si e shpjegoni mungesën e të dhënave në këtë folder për ndërhyrje të mundshme, sepse ka vetëm një datë modifikimi, atë 01.03.2010, ora 01:33pm?
* Në rast se do të rezultonte që videoja është shkarkuar nga ora direkt në lap-top, a do të konsiderohej nga ju si origjinale?
* A përjashtoni ju mundësinë që ky, të cilin ju e konsideroni si një tik-tak të tepërt në sekuencat 11:25 dhe 12:35, nuk është ndonjë defekt i mekanizmit të vetë orës? E keni pasur parasysh besoj që destinacioni i kësaj pajisjeje ka qenë video-regjistrues dhe ora ka shërbyer thjeshtë si kamuflazh?
* A mund të jetë zhurmë nga jashtë ajo që ju e quani tik-tak të tepërt?
* Te “tik-taku” jo në harmoni me të tjerët, a mund të na thoni se cili është programi që keni përdorur për të bërë këtë analizë? A është ai program i licencuar?
* Jeni shprehur se kuptueshmëri të sinjalit audio ka kur raporti sinjal-zhurmë mesatar dhe i pjesshëm i kalon 10 decibel, që është standard ndërkombëtar e vazhdoni më pas duke thënë se zëri i z. Meta nuk ka vlerat e kërkuara prej 10 decibel, ai luhatet nga 3.4 në 9.2 db. Atëherë, si e shpjegoni faktin se gjatë transmetimit të kësaj videoje ne jemi në gjendje të dëgjojmë bisedën në një pjesë të konsiderueshme të saj?
Pyetjet e avokatëve
*Çfarë kuptoni me konstatimin e bërë nga ana juaj në aktin e ekspertimit se “imazhet e gjetura në orën objekt ekspertimi nuk janë gjeneruar nga objektivi i saj?
*A mund të na demonstroni nëpërmjet grafikeve të spektrit të frekuencave të fashës së audios ndërhyrjet, mbivendosjet dhe manipulimet në audion e file-it të bisedës së “Meta-Prifti”, e gjetur në lap-top-in objekt ekspertimi?
*Në pasqyrën e grafikut të ndërhyrjes në lap-top-in objekt ekspertimi konstatohen disa ndërhyrje (4 ndërhyrje) të tjera, datë 6.12.2010. Çfarë përfaqësojnë këto ndërhyrje dhe pse janë nominuar ato me emërtimet “Filipi” dhe “Fiks-Fare”?
*Ç’kuptoni me ndërhyrjen e datës 1 shkurt 2011, sepse në këtë kohë lap-top-i objekt ekspertimi ishte i bllokuar dhe mbahej i bllokuar në Prokurorinë e Përgjithshme?
Armand Bajrami
© Panorama.al











