Meta: Presidenti të zgjidhet në mënyrë konstruktive mes palëve

May 17, 2012 | 13:06
Ilir Meta

Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë midis maxhorancës dhe opozitës, në mënyrë që të vijojë dhe bashkëpunimi për reformat në sistemin gjyqësor. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri dje gjatë mbledhjes në Komisionin e Integrimit, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Çështjeve Europiane të Danimarkës, Nikolai Uamen. Meta deklaroi se Presidenti i ri duhet të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe në mënyrë konstruktive midis palëve. Fryma e bashkëpunimit, sipas anëtarit të Komisionit të Integrimit Ilir Meta, duhet të vazhdojë edhe pas zgjedhjes së Presidentit, pasi ky i fundit ka një rol thelbësor në finalizimin e reformës në sistemin gjyqësor. “Fillimisht ne duhet të bëjmë detyrat tona, të bashkëpunojmë më ngushtë me njëri-tjetrin, si dhe të plotësojmë kriteret, të zgjedhim Presidentin e ri sipas Kushtetutës dhe në mënyrë konstruktive, sepse kjo është e rëndësishme. Edhe pas zgjedhjes së Presidentit ne duhet të vazhdojmë të punojmë me reformat sepse duhet të plotësojmë kriteret në sistemin gjyqësor, ku Presidenti do të ketë rolin e tij të rëndësishëm”, deklaroi Meta.
Apeli
Në këtë takim, ministri i Danimarkës Nikolai Uamen, vendi i të cilit ka dhe Presidencën e radhës në Bashkimin Europian, deklaroi se partitë politike duhet të zgjidhin më parë problemet brenda vendit dhe më pas të synojnë integrimin në BE. Sipas Uamen, vetë Europa në këtë periudhë ka shumë probleme dhe nuk mund të shtojë konfliktet në radhët e saj, në qoftë se vendet nuk i zgjidhin më parë. Ministri danez për çështjet europiane deklaroi se zgjedhja e Presidentit do të jetë një test i rëndësishëm i maturimit të demokracisë shqiptare. Ai theksoi se zgjedhja e Presidentit të ri do të monitorohet nga Bashkimi Europian. “Ne na duhet të shohim rezultate konkrete. Kjo do të sjellë integrimin e plotë. Si mik i vendit tuaj, ne do të bëjmë çdo gjë që duhet për të ecur para me axhendën. Por në fund, analiza finale është për ju. Këto janë detyrimet tuaja për qytetarët tuaj dhe unë do jem aty duke pritur rezultatet. Dhe ju do të tregoni rezultatet tuaja më 24 maj, se ku ka arritur maturia e demokracisë”, deklaroi ministri Uamen. F.B

Balla: Presidenti, prioriteti i 13-të
Anëtari i Komisionit të Integrimit, Taulant Balla, deklaroi dje se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës duhet të konsiderohet nga klasa politike si prioriteti i 13-të. Sipas Ballës, maxhoranca duhet të kuptojë mesazhin e ndërkombëtarëve, për ta cilësuar zgjedhjen e Presidentit të ri si një shans që nuk duhet humbur. “Presidenti duhet të jetë një figurë e unitetit kombëtar, mbrojtësi i Kushtetutës dhe të gjitha institucioneve të vendit. Shpresoj që dhe pala tjetër të tregojë maturinë për të kuptuar këtë mesazh dhe që mund të shndërrohet në një kusht të rëndësishëm  për të marrë një përgjigje të rëndësishme për statusin  e vendit kandidat”, theksoi Balla.

© Panorama.al

Te lidhura