Meta: Nuk është koha për kushte, të plotësojmë 12 prioritetet e BE

Oct 6, 2011 | 10:58
Meta dje në Korçë

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi nga PS të mos vendosë kushte për të plotësuar detyrimet për integrimin e vendit në BE. Gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Korçës, me rastin e 7-vjetorit të themelimit të kësaj dege, Meta bëri dhe 300 anëtarësime të reja në këtë parti. Duke folur për paktin e kreut të opozitës, Edi Rama, Meta kërkoi që të evitohen përplasjet, pasi, sipas tij, nuk duhet humbur kohë. Ai ka komentuar këtë të fundit duke u shprehur: “Tani është koha për reforma, është koha për bashkëpunim, pasi zgjedhjet e ardhshme janë shumë larg pas 2 vitesh dhe do të kemi kohë përsëri për të bërë fushatë, por tani të gjithë duhet të bashkohemi në një fushatë të përbashkët për të plotësuar detyrimet e Bashkimit Europian. Jemi vonuar pa të drejtë në këtë proces. Mesazhi është i qartë, janë 12 standarde, 12 rekomandime, nuk është koha për kushte mbi kushte. Sot është momenti që të gjithë të marrin përgjegjësitë e tyre. Nuk duhet të ketë retorikë të ashpër dhe përplasje pasi kjo është thjesht kohë e humbur”, u shpreh kreu i LSI-së. I pyetur pas aktivitetit në lidhje me takimin e ambasadorëve me kryesocialistin Rama, Meta u shpreh se “nuk mund të komentoj veprime të caktuara. Unë bëj apel për procesin e integrimit në BE. Çdo reagim i menjëhershëm i klasës politike do të ishte i vlefshëm. Ky proces konstaton tek transparenca. Edhe një herë mesazhi është i qartë, vullneti i forcave politike dhe reagimi i tyre është imediat”.

© Panorama.al

Te lidhura