Meta: Kemi qëndrime të ndryshme, por koalicioni funksionon

Sep 20, 2012 | 12:20
Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje se nuk ka ftohje të marrëdhënieve brenda koalicionit me Partinë Demokratike, por pikëpamje të ndryshme. Meta tha se ka zbatuar me përpikëri të gjitha pikat e marrëveshjes më PD-në dhe se koalicioni ka qenë i qëndrueshëm. Më pas Meta theksoi se vota abstenim për disa nisma të qeverisë ka të bëjë me qëndrime që i përkasin identitetit të kësaj force politike. “Qëndrimet tona në raport me koalicionin kanë qenë tepër konstruktive. Ne i jemi përmbajtur me përpikëri të gjithë marrëveshjes kuadër PD-LSI. Natyrisht që për çështje të caktuara ne kemi pasur qëndrimet tona, që kanë të bëjnë me vetë identitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim apo me bindjet tona për zgjidhjet që mund të ofroheshin apo të ofrohen. Unë mendoj se koalicioni ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme. Edhe brenda një partie ka mendime të ndryshme dhe nuk ka pse të mos ketë mendime të tilla edhe midis partnerëve në një koalicion. Në këtë drejtim, për mua mbetet e rëndësishme që të gjithë t’i fokusojmë dhe t’i përqendrojmë energjitë në këto ditë dhe në këto javë, për të vijuar me reformat e kërkuara me forcë nga partnerët tanë, si një mundësi për të shtuar në maksimum shanset për një vlerësim pozitiv të vendit për statusin kandidat”, tha Meta. Gjatë një daljeje për mediat, kreu i LSI-së përshëndeti votimin në Parlament të kufizimit të imunitetit, ndërkohë kërkoi që të përshpejtohej puna për të miratuar dhe dy nismat e mbetura, Rregulloren e Parlamentit dhe projektligjin e Gjykatës së Lartë.

© Panorama.al

Te lidhura