Meta: Do rikandidoj për kreun e LSI, fituam 30 njësi dhe një qark

Oct 26, 2011 | 11:10
Meta dje në Durrës

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha nga Durrësi se do të jetë sërish në garë për kreun e kësaj partie. “Do të rikandidoj për kreun e LSI-së. Ne sot po hyjmë në një fushatë zgjedhore demokratike në parti”, është shprehur Meta nga Durrësi. Këtë deklaratë Meta e bëri pas një takimi të zhvilluar me strukturat e kësaj partie në këtë qark, gjatë të cilit analizoi rezultatin zgjedhor të kësaj parti në zgjedhjet e 8 majit 2011. Sipas kreut të LSI-së, partia që ai drejton arriti një nga rezultatet më të larta që kjo parti ka pasur. “Ky është një rezultat i arritur tërësisht nga angazhimi juaj, pasi njëkohësisht kemi qenë të angazhuar me disa sfida të tjera, të cilat, sigurisht që i kemi fituar, sikurse është sfida në shkallë kombëtare, por edhe të tjerë tregues tepër pozitivë që kanë të bëjnë me faktin që LSI ka sot numrin më të lartë të këshilltarëve që ka pasur ndonjëherë, mbi 600 të tillë. Dhe këtu, përveç atyre që janë zgjedhur, edhe shumë të tjerë, të cilët janë aderuar në muajt dhe në javët e fundit në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kemi fituar 30 njësi vendore si asnjëherë tjetër. Kemi fituar për herë të parë një qark, sikurse është ai i Beratit. Po ashtu, edhe shumë pozicione të tjera drejtuese si nënkryetarë qarqesh apo sekretarë qarqesh. Pra, kemi vendosur një bazament shumë të fuqishëm për të ardhmen”, u shpreh Meta. Sipas tij, LSI është një parti që punon për zgjidhje, dhe jo bllokime. “LSI kërkoi me ngulm prej muajsh që të realizohet një pakt kombëtar që të miratohen ato 12 kërkesat e Bashkimit Europian, që janë 12 standarde. Të jeni të sigurt ju që në qoftë se do të ishte reflektuar nga të gjithë, Shqipëria sot do ta kishte statusin e vendit kandidat”, u shpreh Meta.

Zgjedhjet në LSI
Kreu i LSI-së lajmëroi nisjen e fushatës zgjedhore në këtë parti. “Unë personalisht atë mosangazhimin tim për arsye të tjera do ta kompensoj duke marrë në patronazh Bashkinë e Sukthit, duke marrë komunën e Ishmit, Bashkinë e Manzës dhe Bashkinë e Maminasit. Këto do t’i marr përsipër si i deleguar dhe do të jap llogari para jush pas zgjedhjeve të vitit 2013”, u shpreh Meta.

© Panorama.al

Te lidhura