Mësuesi vret anëtarin e PSV në Këshillin e Komunës

Oct 6, 2011 | 12:54
Policia e Lezhës

Një 34-vjeçar mbeti mbrëmë i vdekur, pasi u qëllua me armë në qendër të fshatit Shënkoll të Lezhës. Burime të Policisë bënë të ditur se viktima është Tonin Gjoni, anëtar i Këshillit të Komunës Shënkoll i subjektit politik të PSV91. Ndërsa autori është shtetasi Pëllumb Nika, nga Gajushi i Lezhës, me profesion mësues po në këtë fshat. Mësohet se viktima e autori ishin konfliktuar rreth një vit më parë në një nga lokalet e Shënkollit, ngjarje e cila solli edhe hakmarrjen nga ana e mësuesit. Ngjarja e rëndë që tronditi të gjithë fshatin ndodhi mbrëmë rreth orës 20:30. Ndërsa afër vendit të krimit mësohet se ka pasur edhe dëshmitarë. Këta të fundit kanë deklaruar në polici se viktima ka qenë duke shkuar në banesën e tij i vetëm, kur një mjet i ka ndaluar tek këmbët dhe prej saj ka dalë mësuesi 33- vjeçar. “Të kujtohet? Vjet më ke sharë nënën time që e kam të vdekur. Tani shko dhe ti aty ku prehet ajo”. Kështu i është drejtuar autori viktimës para se ta qëllonte me një armë zjarri automatike që kishte me vete. Dëshmitarët kanë deponuar në Polici se viktima Gjoni, i ndodhur në befasi, e ka pasur të pamundur të vetëmbrohej. Si pasojë e të shtënave, ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori është larguar bashkë me mjetin e armën e krimit me shpejtësi. Në vendin e ngjarjes mbërritën mbrëmë forca të shumta të Policisë së Lezhës, por deri në orët e vona autori nuk u arrit të arrestohej. Blutë rrethuan zonën, ndërsa kanë formuar postblloqe të shumta për kapjen e tij. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se paraprakisht dyshohet se ngjarja ka si shkak një konflikt për motive banale, i ndodhur rreth një vit më parë në lokalet e Shënkollit. Por blutë nuk përjashtojnë asnjë pistë hetimi deri në kapjen e autorit, dëshmia e të cilit do të zbardhë ngjarjen. “Nuk përjashtohet as ndonjë pistë që ka lidhje me detyrën e viktimës si anëtar në Këshillin e Komunës, por nga të dhënat dhe hetimet paraprake rezulton se ata kanë pasur një konflikt personal mes tyre”, bënë të ditur mbrëmë burime të Policisë së Lezhës. Blutë kanë kryer kontroll edhe në banesën e të dyshuarit, si dhe në disa të tjera ku ai mendohet se mund të strehohet.

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura