
LEZHE – Policia e Lezhës arrestoi mëngjesin e djeshëm tre persona të dyshuar për vrasjen e 34-vjeçarit Tonin Gjonaj, këshilltar në komunën e Shënkollit, i subjektit PSV ’91. Burime të Policisë bënë të ditur se viktima po udhëtonte me një mjet kamion me targa të Krujës kur në qendër të fshatit i ka dalë para një mjet “Benz” me targë TR 9053, në të cilin ka qenë autori Pëllumb Nika, mësues në gjimnazin e Shënkollit, si dhe dy nipërit e tij, Ridvan Luli, 26 vjeç dhe Ferdinand Hoti, 36 vjeç. Ata i kanë dalë para kamionit duke e detyruar shoferin të ndalonte dhe më pas e kanë detyruar viktimën, baba i dy fëmijëve, të dilte prej saj. Hoti, bashkë me Lulin, e kanë qëlluar me leva në kokë e trup, ndërsa Pëllumb Nika e ka qëlluar atë tri herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. “Një vit më parë, ai, në sy të fëmijëve të shkollës, më shau dhe më qëlloi me pëllëmbë. E vrava për të vënë në vend dinjitetin. E kisha menduar vrasjen prej kohësh”, është shprehur mësuesi Nika. Sipas tij, konflikti kishte nisur rreth një vit më parë, pasi ai i kishte bllokuar pa dashje makinën para shkollës këshilltarit komunal. Në lidhje me këtë ngjarje, kreu i komunë Shënkoll, Fran Frrokaj, u shpreh se Tonin Gjonaj kishte qenë një këshilltar mjaft i rregullt. Pas ngjarjes që ndodhi rreth orës 20:30 të së mërkurës, të tre autorët janë larguar, për t’u arrestuar në orët e para të mëngjesit në dalje të fshatit Shënkoll së bashku me makinën e tyre, në tentativë për t’u fshehur. Rrethimi i menjëhershëm i vendit nga policia, izolimi i të gjitha rrugëve hyrëse dhe dalëse me Shënkollit, sipas Policisë, kanë bërë të mundur futjen në rrethim të tre autorëve të krimit. r.n











