Merrte ryshfet, arrestohet avokati Edmond Toska

Oct 18, 2011 | 16:36
Foto Ilustruese

FIER- Policia e Shtetit njoftoi sot arrestimin e shtetasit Edmond Petraq Toska, 51 vjeç, avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier.

Sipas policisë arrestimi i tij ka ardhur pasi akuzohet se u kishte marrë një shumë prej 3.000 Euro dhe 100.000 lekë (të rinj), të afërmve të një personi të akuzuar për vjedhje, për t’ua dhënë ryshfet personave përgjegjës, që do të bënin të mundur lirimin nga burgu dhe pushimin  e  procedimit penal në ngarkim të shtetasit D.S.

Gjykata e rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj këtij shtetasi për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Drejtoria kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit tha se dyshohet se në këtë veprimtari janë përfshirë edhe persona të tjerë, ndaj hetimet vazhdojnë.

Avokati u arrestua në qytetin e Fierit pas një hetimi disa mujor, nga një bashkëpunim i Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit dhe Prokurorisë së Rretheve Gjyqësore Fier e Vlorë.

© Panorama.al

Te lidhura