Para disa ditësh, Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë u akordoi çmimin “Nobel” në Ekonomi dy ekonomistëve amerikanë, Christopher Sims dhe Thomas Sargent, respektivisht profesorë në universitetin “Princeton” dhe të New York-ut. Studimet e tyre të kryera në mënyrë të pavarur e të shkëputur nga njëri-tjetri në njëfarë mase komplementojnë njëri-tjetrin. Në qendër të studimeve të tyre ishin pritshmëritë racionale dhe efektet e tyre duke i modeluar dhe matur deri në njëfarë mase matematikisht, duke rritur kështu fuqinë predikuese të pritshmërive.
Prej tyre tashmë e konsoliduar teoria e pritshmërive racionale (rational expectations), e cila operon nën supozimin/besimin që tregjet financiare funksionojnë në mënyrë eficiente. Më tej, duke e elaboruar këtë teori prej tyre është theksuar se kjo teori nuk duhet parë si shkollë mendimi apo si deklaratë ideologjike, por si një mënyrë e modeluar se si njerëzit mendojnë dhe kundërveprojnë ndaj ndryshimeve në politikat dhe ngjarjet.
Nga kjo parantezë vlerësojmë se nuk mund të kishte kohë më të gjetur sesa këto kohë, në të cilat kalon ekonomia botërore duke gjetur subjektin më të ndjeshëm për të akorduar këtë çmim të madh. Në këtë kohë, kur politikëbërja dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat qendrore janë në qendër të vëmendjes dhe po bëjnë përpjekjet maksimale për të gjetur një reflektim sa më pozitiv nga bizneset, individëd etj.
Në kundërveprimin ndaj vendimeve të ndryshme në politika e rregullime ligjore, si dhe ndaj ngjarjeve njerëzit në përgjithësi demonstrojnë sjellje racionale, por jo gjithmonë. Këtu një rol të madh kanë pritshmëritë, të cilat vihen në qendër të sjelljes së individëve në veprimet e vendimet e tyre.
Duke iu referuar kontekstit europian kur përpjekjet nga institucionet europiane, qeveritë e tyre për të minimizuar efektet e krizës financiare në perceptimet që njerëzit krijojnë janë një shprehje e qartë e mënyrës dhe problematikës që lidhet me pritshmëritë dhe menaxhimin e tyre.
Nëse nga një vendimmarrje për një politikë të caktuar në nivel qendror synohet një përcjellje e mesazhit të konfidencës te tregu nga njëra anë nga individët, bizneset etj., jo domosdoshmërisht lexohet kështu. Kuptohet duke supozuar barazi në aksesin për informacion.
Që këtej rezulton se pritshmëritë janë shumë të rëndësishme, perceptimet mbi të cilat ndërtohen këto pritshmëri, janë shumë të rëndësishme gjithashtu. Atëherë çështja është si të mund të ndikojmë që këto pritshmëri të jenë sa më racionale, që perceptimet të mos jenë të gabuara, por sa më të sakta, sa më afër realitetit të pritshëm. Nga perceptime të gabuara mund të rezultojnë kundërpërgjigje të gabuara dhe sjellin efekte që shtohen e shumëzohen vetëm e vetëm nga këto supozime mbi pritshmëri të tilla.
Një shembull më afër dhe më aktual është se si ndikojnë pritshmëritë te tregu dhe si kundërpërgjigjet ai, është mënyra se si në Bashkimin Europian/institucionet po punohet me zgjidhjet për krizën e borxheve sovrane. E thënë më thjesht: vonesat në arritjen e zgjidhjeve të përbashkëta si një pritshmëri negative ka krijuar bazën mbi të cilat tregjet të reflektojnë ndjeshëm këto pritshmëri, duke u bërë evidente rënie të sentimentit konsumator, indekseve kryesore të tregjeve, goditjen në sektorin fianciar etj. Pra, kemi atë që tregu kuantifikon këto pritshmëri, jo vetëm veprimin apo mosveprimin, por edhe pritshmëritë, sado që ato janë racionale apo më pak racionale. Ky lloj kuantifikimi krijon një reaksion zinxhir dhe formon një spirale që demoralizon tregun dhe aktorët e tij. Anashkalohet shpeshherë efekti që kanë pritshmëritë, por në fakt pritshmëritë kanë po aq (në mos më shumë në raste të veçanta) sa dhe veprimet/vendimmarrjet.
Ndaj menaxhimi i pritshmërive është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një prej mënyrave më efikase për menaxhim proaktiv të tyre është komunikimin efektiv në mënyrë të vazhdueshme. Një tjetër faktor është po ashtu respektimi rigoroz i politikave/parametrave makroekonomike nga të gjitha vendet, jo vetëm ato në zhvillim, si dhe bashkëpunimi midis tyre në zgjidhjen e çështjeve të ditës që janë po ashtu të përbashkëta.
Në një fjalim të para disa javëve, presidenti i Bankës Botërore, Zoellick, thekson se normaliteti i ri tashmë është “jo normaliteti”, ndaj mesazhet e tij për t’u adaptuar në këtë ambient të ri botëror ishin që të gjitha ekonomitë të zhvilluara apo në zhvillim duhet të jenë aktore të përgjegjshme në arenën ekonomike. Kështu që jo vetëm që s’mund të abandanohet mulilateralizmi, por detyrimisht duhet të modernizohet, shton Zoellick. Absolutisht këto drejtohen drejt politikëbërjes, qeverive, institucioneve qendrore/rregullatore etj.
Ky “normalitet i ri” do të jetë dinamik, jo fiks. Hierarkitë sa vijnë e bëhen më pak relevante dhe kjo për rolin që po merr përhapja e njohurive e inovacionit, fakti që punësimi po konsiderohet si kërkesë e qëllim i politikave ekonomike dhe jo thjesht një derivativ i rritjes ekonomike, kohezioni social po merr gjithnjë e më shumë vëmendje etj., etj.
Ky lloj bashkërendimi është kusht, por në të njëjtën kohë prodhon pritshmëri që të gjithë agjentët ekonomikë duhet të kenë të gjithë arsyet të besojnë që të ndërtojnë pritshmëri pozitive, që gjenerojnë optimizëm e konfidencë në ekonomi, që gjenerojnë rritje ekonomike, konsum, prodhim etj., etj. E gjithë përpjekja duhet te konsistojë në ndërtimin e këtyre pritshmërive.
Duke qene të ndërgjegjshëm për sfidat reale në të cilat ndodhen ekonomia globale në tërësi, e sidomos europiane, kërkesa për veprime sa më të shpejta, sa më racionale bëhet jo vetëm legjitime, por është një domosdoshmëri. Kjo domosdoshmëri i atribuohet faktit dhe në emër të pritshmërive që kanë një rol tejet të madh, por në jetën e përditshme, në diskutimet, në media etj. nuk është se gjejnë shumë kohë e vëmendje.
Ndaj le ta sjellim më shpesh në diskutim këtë subjekt. Është vërtet e rëndësishme për t’i dhënë vëmendjen e duhur dhe përbën një mënyrë opinionbërje dhe pse jo, mundësi për të ndihmuar vendimmarrjet e politikëbërjet për të vepruar në mënyrë sa më racionale e në kohen e duhur. Për më shumë, mban në ekuilibër debatin mbi një parashikime nga më të ndryshmet dhe krijon një dozë neutralizimi/përmirësimi të përafrimit me realitetin. Në fund të fundit le të shpresojmë të jenë sa më reale, pozitive e optimiste, diçka që të gjithë kanë nevoje në këto kohë.
*Zv/minister i Financave
© Panorama.al












