“Më jep celularin!” – Zbardhen detaje nga vrasja e gruas nga bashkëshorti në Shkodër, shkak dyshohet xhelozia! Debati që çoi në krimin e rëndë

Jul 10, 2026 | 10:09

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e ndodhur mesditën e së enjtes në Shkodër, ku 62-vjeçari Shtjefën Ziçi vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, Bardhe Ziçi. Ngjarja u shënua në pragun e shtëpisë së çiftit.

Shtjefën Ziçi

Policia e Shkodrës ka ngritur si pistë kryesore të hetimit xhelozinë mes çiftit. Nga kamerat e sigurisë që policia disponon, shtetasi Shtjefën Ziçi i ka kërkuar celularin bashkëshortes së tij të ndjerë, gjë për të cilën kanë bërë debat.

Menjëherë pas debatit, 62 vjeçari ka hyrë në banesë merr çiften që kishte me leje dhe qëllon bashkëshorten e tij duke e lënë të vdekur në vend. Autori nuk ka dhënë ende dëshmi për policinë, por burime pranë palës mbrojtëse bëjnë me dije se do t’i qëndrojnë faktit se vrasja ka qenë aksidentale.

Sipas palës mbrojtëse, Shtjefën Ziçi ka marrë çiften për ta pastruar dhe nuk ka qenë në dijeni se ka pasur plumba brenda sepse ka qenë bashkëshortja që ditë më parë e ka mbushur duke mos e vënë në dijeni burrin e saj.

Megjithatë nisur nga pamjet e deritanishme dhe dëshmitë si dhe hetimet paraprake, policia dyshon se pista e vrasjes lidhet me xhelozinë mes çiftit. Në momentet e para arrestimit, autori i ka thënë grupit hetimor në vendngjarje se nuk është penduar dhe sepse kam vrarë gruan time.

Pala mbrojtëse hedh poshtë dyshimet e policisë për xhelozi duke i qëndruar faktit se vrasja ishte aksidentale. Burime pranë familjes bëjnë me dije se Shtjefën Ziçi ka lënë porosi që për bashkëshorten e tij të kryhen të gjitha nderimet dhe ceremonia e varrimit të bëhet nga familja e tij.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30 të 9 korrikut në unazën lindore të Shkodrës. Vrasja ndodhi në pragun e shtëpisë të çiftit në fjalë. 55 vjeçarja tentoi që të ikte për të shpëtuar por dy plumbat e çiftes i morën jetën.

Shtjefën dhe Bardha Ziçi janë prindër të dy fëmijëve, një djali që jeton në Kanada dhe një vajze e cila punon si oficere në repartin ushtarak në Vau Dejës.

Autori i dyshuar punonte si taksist me makinën e tij private ndërsa bënte edhe furnizimin për dyqanin ushqimor ku shiste bashkëshortja e tij e cila mbeti e vrarë.

Të dy, burrë e grua, njiheshin si njerëz të qetë në zonë dhe askush nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti të mëparshëm mes tyre. Ata punonin bashkë dhe kishin një jetë normale derisa ndodhi vrasja e cila tronditi mbarë opinionin.

Grupi hetimor ka sekuestruar edhe kamera të sigurisë në zonë për të zbardhur të plotë dinamikën e kësaj ngjarje të rëndë që ndodhi në Shkodër.

© Panorama.al

Te lidhura