Qeveria e presidentit republikan Donald Trump ka njoftuar se ndihma ushqimore për rreth 42 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta do të reduktohet gjatë muajit nëntor, për shkak të bllokimit financiar të qeverisë federale (shutdown), që ka hyrë tashmë në muajin e dytë.
Sipas Departamentit të Bujqësisë, qeveria do të përdorë 4.65 miliardë dollarë nga fondet e emergjencës për të financuar programin SNAP (ish-kuponët ushqimorë), duke mbuluar kështu rreth gjysmën e nevojave të familjeve që përfitojnë nga ky program.
Dy gjykatës federalë urdhëruan javën e kaluar që qeveria të përdorë burime shtesë për të vazhduar programin, i cili kushton 8.5 deri në 9 miliardë dollarë në muaj dhe ndihmon amerikanët me të ardhura nën 1,632 dollarë në muaj për një person të vetëm ose 2,215 dollarë për një çift.
Qeveria amerikane argumenton se programi ka mungesë fondesh për shkak të mungesës së një marrëveshjeje buxhetore mes republikanëve dhe demokratëve, të cilët vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për krizën.
Presidenti Trump deklaroi të premten se është gati të lirojë fondet e nevojshme nëse e kërkojnë gjykatat, duke theksuar se “nuk dëshiron që amerikanët të mbeten të uritur”.
Ndërkohë, kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e akuzoi Trumpin dhe republikanët se “po përdorin urinë e miliona qytetarëve si armë politike”.
© Panorama.al












