Aktivisti Andi Tepelena ka komentuar vijimin e protestave qytetare në Tiranë, duke kundërshtuar zërat se numri i pjesëmarrësve është ulur, pasi, sipas tij, protesta ka ruajtur qëndrueshmërinë.
“Thonë se numrat e protestuesve janë tkurrur, por nuk është e tillë. Numrat janë të qëndrueshëm. Njerëzit vijnë çdo ditë, të rinj, familjarë. Jemi brenda pritshmërisë. Një herë në javë, e shtuna është protestë kombëtare, ku marrin pjesë edhe nga trevat, diaspora”, tha ai.
Tepelena tha se tashmë skandalet e qeverisë dhe të kryeministrit Rama, të cilit iu referua si “Mbreti”, kanë dalë në dritë të diellit dhe para shqiptarëve.
“Skandalet e kësaj qeverie po dalin në dritë të diellit dhe para shqiptarëve. Do e çmontojmë deri në pikën e fundit. “Mbreti” tashmë është lakuriq. Dhe një nga fitoret e kësaj proteste është për ta nxjerrë mbretin lakuriq, të palarë, për shkak të korrupsionit që është i llahtarshëm”, u shpreh ai në News24, ndërsa shtoi se “Edi Rama duhet të ik një orë e më parë”.
Po ashtu, ai sqaroi se protesta e madhe e thirrur për datën 2 korrik, lidhet me eksodin e shqiptarëve drejt ambasadave dhe largimin masiv të qytetarëve nga vendi për arsye ekonomike.
Andi Tepelena: Unë shoh një masë që thotë se numrat e protestuesve janë tkurrur, por nuk është e tillë. Numrat janë të qëndrueshëm. Njerëzit vijnë çdo ditë, të rinj, familjarë. Jemi brenda pritshmërisë. Një herë në javë, e shtuna është protestë kombëtare, ku marrin pjesë edhe nga trevat, diaspora.
Kjo është rezistencë, po çmontojmë regjimin. Skandalet e kësaj qeverie po dalin në dritë të diellit dhe para shqiptarëve. Do e çmontojmë deri në pikën e fundit. “Mbreti” tashmë është lakuriq. Dhe një nga fitoret e kësaj proteste është për ta nxjerrë mbretin lakuriq, të palarë, për shkak të korrupsionit që është i llahtarshëm.
2 korriku është një datë simbolike, ikja e shqiptarëve në ambasada, aty ku filloi shpopullimi i Shqipërisë për arsye ekonomike, dhe kjo ka ndodhur çdo vit. Dhe duhet të vendoset një herë e mirë kush do të ikë nga Shqipëria, populli shqiptar apo do të ikë Edi Rama.
Unë them që duhet të ikë Edi Rama një orë e më parë. Kjo është një arsye që shqiptarët e 2 korrikut të rikthehen, të rikthehet diaspora nga emigracioni për të vendosur fatin e vendit. Kjo protestë ka arritur një kohezion kombëtar.
© Panorama.al












