“E kemi fituar betejën me patronazhistët!”- Andi Tepelena: Protesta ka vetëm një kërkesë themelore, dorëheqjen e Ramës! Do përfundojnë në koshin e historisë.

Jun 28, 2026 | 10:51

Aktivisti Andi Tepelena ka komentuar zhvillimet e protestës qytetare që prej javësh vijon në Tiranë, duke u shprehur se organizimi i saj po zhvillohet në mënyrë spontane dhe pa një drejtim të paracaktuar.

protesta andi tepelena

Sipas Tepelenës, grupimet pjesëmarrëse janë të ndërgjegjshme për nevojën që ky proces të vijojë, ndërsa qytetarët janë bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët, largimin e kryeministrit Rama.

Ai u shpreh se qytetarët kanë krijuar një mënyrë të re komunikimi përmes rrjeteve sociale, duke anashkaluar sipas tij çdo tentativë për të penguar përhapjen e mesazhit të protestës nga qeveria, e cila siç tha ai, ka angazhuar një ushtri të tërë patronazhistësh.

“Regjimi ka angazhuar një ushtri të tërë patronazhistesh, por ne e kemi fituar këtë betejë, sepse janë influencuesit, qytetarët, ata të cilët përmes fotove, videove po tregojnë se janë një kanal komunikimi, si një media më vete. Ky mesazh po kalon çdo lloj censure apo mënyrë për ta mbytur zërin e protestës”, u shpreh Tepelena.

Tepelena theksoi se protesta nuk synon përmbysjen e sistemit politik, por ndryshimin e tij dhe se partitë kanë mundësinë e madhe të ndryshojnë. Po aashtu, ai theksoi se kërkesa kryesore e protestës ka mbetur e njëjtë që nga dita e parë, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Andi Tepelena: “Vendimet” në protestë merren në mënyrë natyrale, nuk ka ndonjë filozofi që të thotë se do bëhen këto gjëra. Grupimet janë të ndërgjegjshme se duhet çuar përpara ky proces, jemi të gjithë në të njëjtën gjatësi vale. Kjo po frymëzon të gjithë.  Është një mënyrë për të shmangur edhe presionin që po bën regjimi, i cili ka angazhuar një ushtri të tërë patronazhistesh, por ne e kemi fituar këtë betejë, sepse janë influencuesit, qytetarët, ata të cilët përmes fotove, videove po tregojnë se janë një kanal komunikimi, si një media më vete. Ky mesazh po kalon çdo lloj censure apo mënyrë për ta mbytur zërin e protestës.

Bashkimi ka ardhur gradualisht, sepse aty natyrisht ka edhe grupime që mendojnë ndryshe për të ardhmen e vendit, por një gjë është që i bashkon, që duhet të marrë fund një herë e mirë kjo qeverisje, duhet të largohet. Nuk po flas për përmbysjen e një sistemi politik, por për ta çliruar këtë sistem. Duket se ka një mendje nga të gjithë. Duhet të vijë një epokë e re. Ata tani kanë shansin të riformohen, nëse nuk e bëjnë, do përfundojnë në koshin e historisë.

Protesta është një frymë e cila i qëndron që në fillim parimit, që është kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës. Sheshi është për të gjithë, si një festival demokracie, por që ka brenda një revoltë popullore.

© Panorama.al

Te lidhura