Jo më impiante të përpunimit dhe djegies së plehrave, të cilët shkaktojnë ndotje masive të mjedisit. Shembulli më i mirë është ai i Qendrës Spitalore Universitare, për të cilin raportet e Institutit të Shëndetit Publik prej vitesh flasin për mungesë totale standardesh. Me paketën e re ligjore të hartuar nga Ministria e Mjedisi jepen rregullat për trajtimin dhe përpunimin e integruar të mbetjeve, në zbatim të direktivave të BE-së. Trajtimi i mbetjeve sipas natyrës së tyre dhe kriteret e përpunimit në vendgrumbullime janë diskutuar edhe me grupet e interesit. Një projektvendim i veçantë u është kushtuar impianteve të incerimit (djegies dhe shkrirje e mbetjeve). Këto impiante duhet të operohen me qëllim që të arrihet një nivel i tillë shkrirjeje që përmbajtja e karbonit organik total, hirit dhe skorieve që mbeten në fund të jetë më pak se 3%, ose që humbja e tyre gjatë ndezjes të jetë më pak se 5% e peshës së thatë të materialit. Sipas vendimit, përpara se të vendoset një impiant duhet të pajiset me leje mjedisore. Në projektvendim janë përcaktuar edhe rregullat për t’u pajisur me këtë leje. Ky është vetëm një nga vendimet, ndërkohë që paketa ligjore e hartuar nga Ministria e Mjedisit përmban edhe 6 akte të tjera nënligjore. “Kjo paketë përmban trajtimin e veçantë të mbetjeve sipas natyrës së tyre dhe përfshin vendimin e Këshillit të Ministrave për mbetjet nga ambalazhet, mbetjet elektrike dhe elektronike, një vendim tjetër të Këshillit të Ministrave për menaxhimin dhe trajtimin e baterive dhe akumulatorëve. Po ashtu, kjo paketë përmban një vendim për kriteret dhe standardet që duhet të përmbushin landfill-et për manaxhimin e mbetjeve. Po ashtu, pjesë e kësaj pakete është dhe një vendim tjetër, i cili ka të bëjë me informimin e publikut”, tha Pëllumb Abeshi, përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit. Kjo paketë nuk penalizon grupe të caktuara interesi, por ajo është një ndër kriteret kryesore të BE-së për ruajtjen e mjedisit. Paketa ligjore për trajtimin e mbetjeve do të diskutohet në qeveri, për të kaluar më pas për miratim në Parlament. Një problem i madh për vendin tonë është dhe grumbullimi e depozitimi i mbetjeve industriale, që, sipas ekspertëve, është përgjegjësi e prodhuesit. Në vendin tonë ka të paktën 170 mijë tonë mbetje industriale në vit, një pjesë e të cilave konstatohen si të rrezikshme. Gjeneruesit kryesorë të mbetjeve industriale kanë qenë industritë kimike, metalurgjike, minerare, vajore, ushqimore etj. Nga aspekti fiziko – kimik, toksikologjik dhe eko-toksikologjik, një pjesë janë identifikuar e klasifikuar si shumë toksikë, irritues, si mbetje kancerogjene.
Mbetjet e rrezikshme
Nga sasia e përgjithshme e kimikateve të industrisë kimike, 40 tonë (3% e sasisë totale) janë kimikate shumë helmuese, 110 tonë (7%) janë jashtëzakonisht të ndezshme dhe ndezëse, 575 tonë (38%) kanë karakteristika helmuese, nga të cilat mund të ndajmë veçantë arsenikun, merkurin dhe disa substanca të tjera organike.











