TIRANE- Bisedimet mes Presidentit të Republikës dhe Emirit të Shtetit të Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al Thani u përqëndruan në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, kryesisht në atë ekonomike, turistike, infrastrukturore dhe shëndetësore.
Sipas një njoftimi të presidencës, mësohet se të dy bashkëbiseduesit shprehën njëzëri vendosmërinë, vullnetin dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara bashkëpunimin dypalësh e fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona.
Topi i ka shprehur mirënjohjen Emirit të Shtetit të Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al Thani për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e ftuar atë që vendi i tij mund të luajë një rol më të rëndësishëm me influencën e vet, për shtimin e njohjeve të reja.
Gjatë fjalës së tij, Emiri i Shtetit të Katarit, Sheiku Hamad Bin Kalifa Al Thani shprehu interesimin për të investuar në Shqipëri në fusha si infrastruktura, arsimi, turizmi, industria e naftës, etj. Sheiku Al Thani vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes Shtetit të Katarit dhe Shqipërisë, të cilat do të thellohen edhe më tej
Presidenti Topi ka dekoruar Emirin e Shtetit të Katarit me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Për merita të shquara në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Katarit, si dhe për kontributin e vyer në shërbim të paqes e stabilitetit në arenën ndërkombëtare”.
Sot pritet të nënshkruhetn tetë marrëveshjeve të ndryshme me interes reciprok mes dy vendeve.
© Panorama.al











