TIRANE – Për herë të parë Ministria e Brendshme ka publikuar në faqen e saj zyrtare një raport analitik në lidhje me luftën kundër fenomeneve kriminale në radhët e policisë, në veçanti luftën kundër korrupsionit. Raporti i publikuar ditën e djeshme në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, moi.gov.al, përmban të dhëna për vitin 2010, por në përmbajtje ka informacione zyrtare të organizuara në mënyrë analitike që nga viti 2006. Sipas raportit, implikimi në korruptim i punonjësve të policisë ka ardhur në rënie, ndërsa sektori më i rriskuar është Policia Rrugore. Në varësi të organikës së policisë, raporti vëren se niveli zbatues, pra efektivat bazë të policisë, mbeten më të ekspozuar ndaj fenomeneve korruptive. Sipas raportit, në vitin 2010, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, SHKB, ka kallëzuar për ndjekje penale 110 punonjës policie, krahasuar me 149 kallëzime penale të bëra në vitin 2006. Ndërsa në vitin 2006 janë dërguar për ndjekje penale 89 efektiva të rolit të parë drejtues, në vitin 2010 në prokurori janë dërguar për ndjekje penale 34 efektiva të rolit të parë drejtues. Grafikët në raportin për punën e SHKB-së tregojnë se në vitin 2006 janë denoncuar në prokurori 112 punonjës policie për vepra korruptive, ndërsa në vitin 2010 janë denoncuar 57 punonjës. Për veprime arbitrare, në vitin 2006 janë denoncuar 35 punonjës, ndërsa në vitin 2010 janë denoncuar 11 punonjës. “Të dhënat për periudhën 5-vjeçare tregojnë tendencë rënieje me 49 për qind për veprat korruptive dhe 68 për qind të veprat “veprime arbitrare”, thuhet në raport.
MB, raporti
. 71 policë të arrestuar në vitin 2006
. 44 policë të arrestuar në vitin 2007
. 34 policë të arrestuar në vitin 2008
. 19 policë të arrestuar në vitin 2009
. 35 policë të arrestuar në vitin 2010
© Panorama.al











