Matura, anglishtja nuk do të jetë provim i detyruar

Oct 8, 2011 | 12:08

Do të kenë 5 provime të detyruara dhe 26 lëndë me zgjedhje. Për herë të parë për gjimnazistët do të aplikohet edhe vlerësimi me kredite. Anglishtja nuk do të jetë provim i detyruar,siç është deklaruar deri tani. Këto janë ndryshimet kryesore të Maturës Shtetërore për vitin që vjen. Sipas Ministrisë së Arsimit, ato vijnë në funksion të përmirësimit të gjithë procesit të mbylljes së shkollës së mesme dhe konkurrimit për në universitet. Gjithashtu, Matura Shtetërore do të pësojë të tjera ndryshime në vitin 2012. Kështu, të gjithë ata maturantë që e kryejnë shkollën e mesme në maj të vitit te ardhshëm, do të japin 4 deri në 5 provime të detyrueshme, kjo në varësi të dëshirës personale. Ndërsa do të rritet së tepërmi edhe gama e lëndëve që do të zgjedhin maturantët. Ndryshe nga sa ishte deklaruar më parë, MASH ka vendosur të mos e shtojë anglishten në grupin e provimeve të detyruara. Por do të ketë një tjetër provim, që do të shtohet me zgjedhje të detyrueshme.”Provimi i tretë me zgjedhje të detyrueshme do të jetë si një alternativë që do ta zgjedhin vetë maturantët”, sqarojnë specialistët. Sipas tij, një provim i tretë me zgjedhje do të lihet në dispozicion të maturanteve, për ata që duan të plotësojnë më shumë kredite për Maturën. Sipas specialistëve të MASH do të jenë 26 lëndë me zgjedhje, që do të merren nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula e përgjithshme. Për herë të parë, maturantët do të vlerësohen edhe me kredite. Gjatë gjithë viteve të shkollës supozohet qe maturanti duhet të ketë grumbulluar rreth 90 kredite në total, për t’iu drejtuar më pas dyerve te fakulteteve ku synojnë të studiojnë. “Në diplomën e tij do të figurojnë jo vetëm notat, por edhe pikët e krediteve që ka mbledhur secili nxënës. Maturanti duhet të fitojë minimalisht 90 kredite, për t’u konsideruar si kalues i maturës dhe për t’u pajisur me diplomë të posaçme mature. Projektet kurrikulare, shërbimi komunitar dhe modulet profesionale kanë kreditet e tyre, por nuk vlerësohen me notë. Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi të caktuara: arte, sporte, arkitekturë etj. Degët me konkurs do të vendosen edhe në bazë të plotësimit të kritereve të veçanta, të propozuara nga IALP dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese, midis 10 ose më pak preferencave të zgjedhura prej tyre.

Ndryshimet:
. Shtohet numri i provimeve nga 4 deri në 5 provime

. Shtohet numri i provimeve me zgjedhje, nga 17 ne 26

. Provimet e Maturës: 23 maj 2012-30 qershor 2012

. Anglishtja nuk do të jepet me detyrim si gjuhë e huaj e parë

. Do të futen në lista edhe lëndët e avancuara

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura