Mashtronte për viza dhe patenta, arrestohet

Oct 1, 2011 | 12:52

GJIROKASTËR- Një 50 vjeçar nga Gjirokastra është prangosur se në këmbim të eurove mashtronte të nxirrte viza dhe patenta, por është zbuluar pas denoncimit të ‘viktimave’.

Lajmi bëhet publik nga policia e Gjirokastrës, e cila njofton se Spiro Shukuli është ndaluar pas urdhërit të ndalimit, në bazë të dy denoncimeve të kryera ditë më parë. Mësohet se Shukuli, para dy viteve, në Janinë, ka mashtruar një bashkëfshatarin e vet duke i marrë 1800 euro në shkëmbim të nxjerrjes së dy lejeve drejtimi nga autoritetet helene. Mashtrimi i qartë alarmoi viktimën e mashtrimit, që pas dy viteve i pambrojtur nga autoritetet greke për këtë qëllim, gjykoi t’i drejtohet organit të akuzës së Gjirokastrës, për t’i dhënë rrugëzgjidhje.

Të njëjtën procedurë mashtruese, Shukuli e ka përdorur edhe me një tjetër bashkëfshatar para pesë viteve kur i mori 500 euro për t’i nxjerrë vizë greke në Konsullatën e Përgjithshme në Gjirokastër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme ndërkohë që mbi 50 vjecarin, rëndon vepra penale e mashtrimit.                         PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura