Një skemë abuzimi me pasaportat biometrike shqiptare është pikasur nga Policia. Sektori i Antikrimit ekonomik ka nisur prej javësh një hetim sipas të cilit emigrantëve shqiptarë, kryesisht atyre që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kanë fituar lotarinë amerikane, mund t’u jetë vjedhur identiteti. Kjo në rastin më të mirë, pasi ka të dhëna se disa prej këtyre shtetasve, pasi kanë marrë pasaportat amerikane “e kanë shitur” identitetin e tyre, duke njoftuar personat e interesuar se me të dhënat përkatëse mund të tërheqin pasaportë biometrike shqiptare. Denoncimi është bërë nga burime jozyrtare të Policisë së Shtetit, ku ka nisur tashmë një hetim për verifikimin e të dhënave për shqiptarë që jetojnë prej vitesh jashtë vendit dhe që nuk janë të pajisur me pasaporta biometrike. Në 3 muajt e fundit, Policia shqiptare ka arrestuar disa persona që rezultonin të ishin pajisur me pasaportë biometrike “të falsifikuara”. Sipas verifikimeve, nuk bëhej fjalë për falsifikim të mirëfilltë, pasi për shkak të elementëve të shumtë të sigurisë që ka dokumenti i identifikimit, falsifikimi është thuajse i pamundur. Sipas ekspertëve të Antikrimit Ekonomik, personat e arrestuar më ketë lloj dokumenti të quajtur “fals”, kishin vjedhur identitetin e personave të tjerë të pa pajisur me pasaportë biometrike. Të dhënat e përdorura kanë qenë kryesisht të emigrantëve, të cilët për arsye të ndryshme nuk kishin aplikuar për kartë identiteti, e rrjedhimisht, as për pasaportë.
VJEDHJA E IDENTITETIT
Policia shqiptare ka arrestuar së fundi shtetas kryesisht kosovarë të pajisur me pasaporta biometrike. Sipas burimeve nga Policia, rrjeti që “punon” për prodhimin e dokumentit biometrik është shumë më i gjerë se punonjësit e gjendjeve civile. Pjesë e hetimit të Policisë janë edhe punonjësit e kompanisë që prodhon pasaporta e karta identiteti, persona që janë të punësuar në njësitë ku aplikohen, por jo vetëm ky grup personash. Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton që individë të ndryshëm, të cilët kanë mundësi të depërtojnë edhe në institucione ku ruhen të dhëna të klasifikuara, kanë arritur të sigurojnë lista emrash, që përdoren për vjedhje identiteti, pasi verifikohen shtetasit që ende nuk kanë aplikuar për pasaportë. Sipas policisë, ata janë të mirinformuar për çdo shtetas shqiptar që jeton prej vitesh jashtë kufijve, cili prej tyre është i pajisur me pasaportë të huaj, dhe kryesisht për ata që kanë fituar lotarinë amerikane dhe për arsye të ndryshme nuk janë kthyer më në Shqipëri. Të gjithë emrat që ndodhen në këto lista rrezikojnë të përdoren si gjeneralitete të një pasaporte biometrike të një shtetasi tjetër, qoftë i huaj, apo edhe ndonjë shtetas shqiptar me precedentë penalë që kërkohet nga Drejtësia. Policia kërkon një bashkëpunim më të ngushtë me punonjësit e gjendjes civile, aty ku edhe nis aplikimi, me falsifikimin e certifikatave, si dhe punonjës të zyrës së prodhimit të dokumenteve të identitetit.
8 korrik 2011
Policia e Korçës arreston 4 persona të akuzuar për lëshimin e pasaportave biometrike me gjeneralitete të rreme për shtetas shqiptarë që kanë probleme me Drejtësinë në vendet e ndryshme të BE-së. Mes të arrestuarve është edhe një specialist IT-je i kompanisë “Aleat”, një operator i po kësaj kompanie dhe një pedagog i Universitetit të Korçës.
21 korrik 2011
Gjashtë persona u morën në hetim nga Policia e Tiranës, të akuzuar për falsifikim të dokumenteve të gjendjes civile, me qëllim pajisjen me pasaporta biometrike. Mes personave ndaj të cilëve nisi procedimi penal, ishin edhe dy punonjëse të gjendjes civile, në minibashkinë Nr.7, të cilat u akuzuan se kishin pajisur me certifikata shtetas të ndryshëm kosovarë, me emra të rremë.
30 gusht 2011
Policia e Tiranës arrestoi një shtetas kosovar, të cilit iu bllokua një pasaportë biometrike, e cila dyshohet të jetë false, me identitet të rremë. I riu nga Prishtina, Elbasan Sejdiu, u arrestua në një hotel në Rrugën e Durrësit, ku po qëndronte bashkë me hallën e tij. Ndërsa për dy ditë mësohet se do të udhëtonte nga Rinasi drejt Zvicrës me pasaportën shqiptare.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











