Durrës/ Autor, Andrea Berberi 65 vjeç. Konflikti prej 4 vitesh për 100 mijë lekë të humbur. Qëllohet me dy karikatorë automatiku, Luan Puja
Luan Puja, baba i dy fëmijëve, ka mbetur i vdekur në vend, pasi u qëllua nga 65-vjeçari Andrea Berberi, në zonën e Spitallës, pranë varrezave të reja të qytetit. Krimi ndodhi rreth orës 14:50. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilët teksa kanë rrethuar të gjithë vendin e krimit, janë vënë në ndjekje të autorit. Ai është arrestuar vetëm disa minuta pasi kishte kryer krimin, gjatë kohës që po tentonte të largohej nga zona. Sipas Policisë, autori është 65-vjeçari Berberi, i cili jetonte në të njëjtën lagje me viktimën Puja. Nga të dhënat e para të grumbulluara në vendngjarje dhe pyetja e të afërmve, rezulton se ngjarja ka pasur si motiv një konflikt të para disa viteve midis palëve, komshinj me njëri-tjetrin. Sipas Policisë, konflikti mes viktimës dhe autorit ka nisur katër vite më parë, kur viktima ishte kontraktuar nga autori për kryerjen e disa punimeve hidraulike dhe elektrike. Gjatë kohës që Luan Puja, me zanat elektricist, punonte në banesën e Andrea Berberit, këtij të fundit i kishte humbur shuma prej 100 mijë lekësh të rinj. Për humbjen e saj Berberi akuzonte 42-vjeçarin, çka bëri që ai të mos e paguante për hakun e punës. Që prej asaj kohe, viktima dhe autori ishin përplasur shpeshherë me njëri-tjetrin. Nga verifikimet e Policisë rezulton se ky konflikt ka degjeneruar me një sulm fizik më 26 prill të këtij viti, kur viktima Puja ka qëlluar me sende të forta 65-vjeçarin Berberi, ngjarje e cila ka kaluar në Gjykatë. Nisur nga situata e nderë, policia pohon se vrasja është e mirëmenduar nga ana e autorit, i cili i ka zënë pritë duke e qëlluar me dy karikatorë automatiku fqinjin e tij. Ngjarja ka ndodhur në një nga zonat më të populluara të qytetit pikërisht në rrugën që të çon në Porto-Romano, ndërsa dëshmitarë janë bërë një numër i madh qytetarësh, të cilët janë mbërthyer nga paniku. Kanë qenë vetë banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar policinë për vrasjen. Madje, dëshmitarët kanë ndihmuar policinë për identifikimin e autorit, i cili është vënë në pranga vetëm disa minuta pasi kishte kryer vrasjen. Mësohet se pasi autori e ka lënë të shtrirë viktimën, i ka varur në qafë automatikun, me të cilin shkaktoi krimin. Pritet që autori të rrëfehet në qeli në lidhje me planin për të ekzekutuar 42-vjeçarin Puja.
Ekspertiza
Dy karikatorë automatiku janë zbrazur mbi trupin e babait të dy fëmijëve, Luan Puja. Këtë fakt e konfirmojnë agjentët e policisë, por dhe ekspertiza mbi viktimën 42-vjeçar. Mbi trupin e Pujës janë gjetur mbi 30 plumba, e po aq gëzhoja ka bllokuar policia në cilësinë e provave materiale në vendin e ngjarjes. Sipas policisë, autori ka zbrazur dy karikatorë automatiku mbi fqinjin e tij, në formën e një hakmarrjeje ekstreme, e cila kishte si burim një shumë prej 100 mijë lekësh të humbura.











