Masakrimi në Lezhë, 2 në pranga

Oct 16, 2011 | 12:29
ANISA OPINGARI, 25-VJEÇARJA E MASAKRUAR NE NJE PYLL NE SHENGJIN (MAJTAS) NENA E ANISES, MIRANDA OPINGARI ME VAJZEN DITEN E DASMES

Policia e Lezhës organizoi mëngjesin e djeshëm një operacion në qytetin e Fierit, duke arrestuar dy persona që dyshohen si autorë të masakrimit me thika të Anisa Opingarit. 25-vjeçarja u gjet e masakruar tre muaj më parë, më 25 korrik, në një pyll në afërsi të Shëngjinit. Kalimtarë të rastësishëm zbuluan trupin e 25- vjeçares, dhe sinjalizuan menjëherë policinë. Kjo e fundit konstatoi se nëna e dy fëmijëve, e divorcuar nga i shoqi, ishte qëlluar me 20 thika. Burime të Policisë së Lezhës bënë të ditur se të arrestuarit janë shtetasit Sokol Backa, 26 vjeç dhe Genc Bicmeti, 43 vjeç, që të dy nga qyteti i Fierit. Mësohet se zbulimi i vrasjes është kryer me metoda speciale të hetimit. Prej muajit korrik, kur ndodhi ngjarja që tronditi mbarë opinionin, e deri dje, kur u krye edhe arrestimi, dy të dyshuarit kanë qenë nën vëzhgimin e policisë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se kanë pasur të dhëna për të hedhur dyshimet e autorësisë te të dy këta shtetas, por kishin pritur për të mbledhur prova që do të ishin më pas të pakontestueshme, për të kryer edhe arrestimin e tyre. Policia ka tashmë në dosjen e saj edhe materiale të gjetura në afërsi të kufomës, që kanë rezultuar të kenë edhe shenjat e gishtërinjve të autorëve. Burimet pohuan se nga hetimi i kryer ka rezultuar se qëllimi i autorëve ka qenë shfrytëzimi për prostitucion i Anisa Opingarit. 26-vjeçari Sokol Backa, i cili rezulton se ishte martuar një vit më parë, mësohet se ishte njohur me 25-vjeçaren dhe i kishte premtuar asaj martesë. Ditën e ngjarjes, ai i kishte kërkuar asaj një shëtitje në plazhin e  Shëngjinit, ku do udhëtonin me makinën e mikut të tij, Genc Bicmeti. Por, në momentin kur ata i kanë kërkuar ta punësonin në një hotel në Shëngjin për të prostituuar, Anisa Opingari nuk e ka pranuar. Gjatë debatit mes tyre, Backa dhe Bicmeti e kanë marrë atë me forcë dhe më pas e kanë masakruar në afërsi të vendit të quajtur “rëra e hedhur” në Shëngjin. Viktima është lënë e masakruar në mes të disa pishave, ndërsa trupi i saj u gjet një javë më pas nga kalimtarë të rastit, në gjendje të dekompozuar. Të bezdisur nga era e rëndë që vinte, ata kanë kontrolluar zonën përreth, duke menduar se mund të ishte hedhur ndonjë kafshë e ngordhur. Por ata janë shtangur kur kanë gjetur trupin e vajzës së dekompozuar, e veshur me rroba banje dhe afër saj edhe një çantë. Ata sinjalizuan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Brenda në çantë ndodhej karta e identitetit e viktimës, gjë që ndihmoi në identifikimin e saj me emrin Anisa Opingari, 25 vjeçe, nga Fieri. Arrestimi i dy shtetasve nga Fieri mësohet se është bërë pa ndihmën e policisë së këtij qarku. Pasi kanë pasur prova të forta për të kryer arrestimin, Policia e Lezhës ka behur dje herët në mëngjes në shtëpitë e dy të dyshuarve, duke i arrestuar ata pa rezistencë. Policia e Lezhës bëri të ditur se e kishte kryer e vetme hetimin dhe arrestimin, për shkak të çeshtjes mjaft delikate, si dhe për të evituar një rrjedhje të mundshme informacioni që mund të çonte deri në dekonspirimin e operacionit të tyre. Nëna e motra e viktimës i bënë apel pas ngjarjes policisë të kapte autorët dhe të dënoheshin maksimalisht për krimin e rëndë që kishin kryer.

“Biznesmeni”
Menjëherë pas ngjarjes, bazuar edhe në dëshminë e familjarëve të viktimës, Policia e Lezhës u fokusua në një adresë të hapur në rrjetin social “Facebook”. Të afërmit e vajzës deklaruan për policinë se ajo iu kishte pohuar se ishte njohur me një djalë, biznesmen nga Lushnja. Ata hodhën dyshime për një adresë me emrin L.Sina, i cili ishte “frend” me viktimës. Policia nisi kërkimet dhe verifikoi disa persona në Lushnjë, por për asnjërin prej tyre nuk pati prova për të kryer arrestimin. Ndërkohë, pak ditë më pas në “Facebook”, identiteti i biznesmenit lushnjar, L. Sina u hoq, çka vertetoi se identiteti i personit që mund a kishte njohur në internet ishte i rremë, Policia e Lezhës nuk bëri të ditur nëse njëri prej të arrestuarve ka pasur pikërisht identitetin e mësipërm në rrjetin social.

DIVORCI
Anisa Opingari ishte divorcuar rreth një vit para se të ndodhte tragjedia. Ajo ishte kthyer nga Greqia, ku kishte jetuar prej disa vitesh me të shoqin. Por për shkak të konflikteve e mosmarrë-veshjeve, ajo kishte vendosur t’i jepte fund martesës. Pasi mori edhe dy fëmijët e saj, 25-vjeçarja u kthye përfundimisht në qytetin e saj, në Fier. Nëna e saj akuzoi ish- dhëndrin, i cili sipas saj ishte konfliktuar me të bijën për shkak se nuk kishte mundur të merrte disa prona të tyre. Por ajo i pohoi grupit të hetimit se nuk kishte dyshime se krimin mund ta kishte kryer ish-dhëndri i saj. Anisa Opingari i kishte çuar dy fëmijët e saj tek ish-vjehrra që t’i mbante ca kohë, pasi ajo duhej të punonte për të siguruar jetesën.

Nëna e Anisës: Nuk i njoh autorët, tani shpirti i sime bije do prehet në paqe
FIER- Familja Opingari e ka mësuar lajmin e arrestimit të vrasësve të vajzës së tyre nëpërmjet mediave. Nëna e 25- vjeçares, Miranda Opingari, nuk është në gjendje të flasë gjatë. Është e emocionuar, por deri diku siç e pohon edhe vetë, e qetë. Kjo pasi ajo për të cilën ishte lutur për tre muaj resht, u realizua. Personat që masakruan të bijën tashmë janë arrestuar, ndërsa shpreson se Drejtësia do t’iu japë dënimin e merituar për krimin e rëndë, ku masakruan nënën e dy fëmijëve të vegjël. Pas publikimit të lajmit për gjetjen e autorëve, familjarët e viktimës kanë qenë të rezervuar në deklaratat e tyre. Dera e familjes Opingari ka qenë përgjatë gjithë ditës së djeshme e mbyllur, ndërsa nën zë, me derën gjysmë të hapur, nëna e vajzës së masakruar ka arritur të thotë se të paktën tani ndihet më e qetë që autorët do të vuajnë pas hekurave. “Nuk kam c’të them… ndihem e qetë dhe e kënaqur që sot (dje) policia ka një autor për vrasjen e vajzës sime”, u shpreh dje Miranda Opingari, ndërsa nuk mundte të mbante lotët. Ajo mohoi të njihte personat e arrestuar, ndonëse sipas saj, nuk është i rëndësishën emri, por fakti që ai u arrestua. “Unë nuk i njoh autorët. Nuk e di kush janë, por për mua nuk ka rëndësi se cili është emri. Nuk dua të di për emra, rëndësi ka që vrasja nuk mbeti pa autor”, u shpreh më tej gruaja, e cila lajmin e djeshëm e kishte pritur tre muaj resht. Pyetjes nëse policia kishte pasur kontakte me të pas arrestimit, ajo iu përgjigj se “nuk dua të kem kontakte. Për mua kaq mjafton. Kisha besim se policia do ta bënte punën e saj. Tani shpirti i sime bije do prehet në paqe. E përsëris që për mua s’ka rëndësi fare emri. Mjafton që ata u arrestuan”, u shpreh gruaja, duke pohuar se kishte pasur besim gjatë të gjithë kësaj kohe se e vërteta do të dilte dhe se vrasësit e së bijës nuk do të mund të fshiheshin përjetë. Ndërkaq, Policia e Fierit bëri të ditur dje se nuk ka pasur asnjë informacion nga kjo ngjarje. Burime nga Policia thanë se kanë qenë jashtë çështjes, pasi Policia e Lezhës nuk ka kërkuar bashkëpunimin e tyre. Ajo ka vepruar e vetme në qytetin e Fierit. Policia nuk bëri të ditur nëse dy të arrestuarit, Bicmeti dhe Backa, kanë qenë me precedentë penalë. Pak kohë më parë, familjarët e Anisës kërkuan drejtësi. Nëna, motra, të afërm të tjerë kërkuan që Drejtësia të funksiononte për të zbardhur ngjarjen.

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura