Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Rusia “nuk ka as votë dhe as të drejtë vetoje” në procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë, duke hedhur poshtë çdo ide që parashikon përjashtimin e Kievit nga NATO.
Në një intervistë për El País dhe rrjetin gjerman RND, Rutte theksoi se Traktati Themelues i Uashingtonit lejon që çdo vend i rajonit euro-atlantik të aplikojë për anëtarësim dhe se Moska nuk mund të ndikojë në këtë proces. Deklaratat e tij erdhën pas publikimit të planit 28-pikësh të SHBA për përfundimin e luftës, ku fillimisht parashikohej një klauzolë që i kërkonte NATO-s të angazhohej se “nuk do ta pranonte kurrë Ukrainën si anëtare”. Drafti është rishikuar dhe tashmë është reduktuar në 19 pika, duke zbutur elementet e konsideruara pro-ruse, ndërsa një propozim alternativ evropian e hedh plotësisht poshtë idenë e ndalimit të Ukrainës.
Rutte tha se ndonëse disa aleatë aktualisht kundërshtojnë anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës, pozicioni i NATO-s mbetet i pandryshuar dhe se viti i kaluar vendet anëtare e shpallën të “pakthyeshme” rrugën e Kievit drejt Aleancës, qëndrim të cilin ai e ka përsëritur edhe në kushtet e kundërshtimit nga Presidenti Trump dhe disa shtete të tjera.
Ai u shpreh se plani i fundit i paraqitur pas bisedimeve diplomatike në Gjenevë përbën një “bazë të mirë për diskutime të mëtejshme”, por se çdo marrëveshje paqeje do të duhet të shoqërohet me një proces të veçantë konsultimesh mes NATO-s dhe vendeve anëtare.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se askush nuk mund të marrë vendime për Ukrainën pa përfshirjen e institucioneve evropiane dhe të NATO-s, duke theksuar: “Asgjë për Evropën pa Evropën, asgjë për NATO-n pa NATO-n”.
Rutte bëri të ditur gjithashtu se Aleanca do të dorëzojë rreth 5 miliardë dollarë armë për Ukrainën deri në fund të vitit, pjesë e një plani të udhëhequr nga NATO që parashikon blerjen e armëve amerikane nga vendet evropiane për nevojat e Kievit. Deri tani, 11 shtete kanë kontribuar në pesë paketa prej nga 500 milionë dollarë secila, ndërsa paketa e gjashtë pritet të finalizohet brenda ditëve të ardhshme.
Ai paralajmëroi se edhe në rast të një marrëveshjeje paqeje, kërcënimi rus ndaj sigurisë evropiane nuk do të zhduket. “Rusia do të mbetet një rrezik afatgjatë për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh kreu i NATO-s.
© Panorama.al











