
Forcat policore të shtuara në Maqedoni, kryesisht në Shkup, të krijojnë idenë se po pritet shpërthimi i një vale të re tensioni mes etnive. Të trembur nga kthimi i një situate të ngjashme me luftën civile si ajo e vitit 2001, mes shqiptarëve të frustruar dhe maqedonasve, Ministria e Brendshme ka urdhëruar kontrollin e imtësishëm në pika doganore dhe pika të tjera kalimi në Maqedoni, sidomos të automjeteve me targa të huaja. Kështu besohet se po evitohet “kontrabandimi i armëve” për shqiptarët. Shqiptarët kanë vënë nën shënjestër si autorë të vrasjes së pesëfishtë të të rinjve maqedonas, në prill. Mijëra shqiptarë kanë dalë në protesta kundër inkriminimit të tyre në fundjavë, duke kërkuar nga qeveria maqedonase që të gjejë autorët e vërtetë të krimit dhe të mos ia veshë këtë pa të drejtë etnisë shqiptare. Njëzet shqiptarë, mes të cilëve edhe femra, u arrestuan në një mësymje nga policia maqedonase në orët e para të mëngjesit të 1 majit. Pjesa më madhe u liruan brenda dy ditëve, ndërsa tre janë mbajtur të arrestuar në lidhje me krimin që mori tone të radikalizmit islamik nga qeveria maqedonase, si dhe dy shqiptarë të tjerë janë shpallur në kërkim. Me gjithë kundërshtimin e shqiptarëve për këtë proces “të manipuluar politikisht”, prokurori i Përgjithshëm i Maqedonisë, Lubço Shvrgovski, tha një ditë më parë se ka dëshmi të sigurta se grupi i ndaluar në operacionin “Monstër” ka kryer dhe ka ndihmuar në vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. Sipas prokurorit, “Procedurën hetimore ne e bazojmë në dëshmi të sigurta që japin shkallën e lartë të dyshimit se janë pikërisht ata persona që i ndërlidhim me ngjarjen që ndodhi në Liqenin e Smilkovcit. Kemi pasur edhe masa të posaçme hetimore në pjesën e përgjimit dhe ato janë legjitime, janë dhënë pas urdhrit të lëshuar nga gjykatësi hetues. Këto shënime audio po ndihmojnë në udhëheqjen e hetimeve dhe ndërtimit të tezës sonë se personat që po akuzojmë në të bazë të dëshmive që kemi, janë ata që kanë kryer dhe kanë ndihmuar në veprën penale”, citohet kryeprokurori Shvrgovski nga agjencia INA.











