SHKUP- Mediat maqedonase kanë nisur një fushatë për të informuar për përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucionet e vendit.
Përmes kësaj fushate po krijohet një pasqyrë se shqiptarët janë të përfaqësuar nëpër institucionet e vendit në masën e duhur dhe se në komunat e dominuara, nuk merret parasysh përfaqësimi dhe punësimi i komuniteteve të tjera, informon agjencia e lajmeve INA.
Fushata ka nisur në një periudhë kur priten konkurse të reja për punësime sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe kur Parlamenti do të miratojë buxhetin për vitin 2012, qe nuk dihet se a do të pasojnë punësime të reja në bazë të marrëveshjes.
Në një shkrim të sotëm të gazetës “Dnevnik” raportohet se në komunat Tetovë, Gostivar, ]air, Likovë, Osllomej, Haraçinë dhe të tjerat ka të punësuar vetëm shqiptarë dhe se administrata e këtyre komunave gati është e pastër vetëm me të punësuar shqiptarë dhe shumë pak të përfshirë maqedonasit, turqit dhe komunitetet tjera pakicë.
Fushata për përfaqësimi u hap si çështje edhe në një takim pune që zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi zhvilloi me gazetarët, me ç`rast këta të fundit kërkonin sqarime lidhur me përfaqësimi dhe se sipas raporteve të tyre, përfaqësimi për shqiptarët është i realizuar deri në masën 30 për qind.
Çështja e përfaqësimi vazhdon të jetë një temë debati në Maqedoni. Derisa shifrat jozyrtare nga sekretariati qeveritar për Marrëveshjen e Ohrit janë se rreth 18 për qind e shqiptarëve janë të përfaqësuar nëpër institucionet e vendit, opozita shqiptare pretendon me një shifër tjetër prej rreth 13-15 për qind.
Sipas një statistike të fundit të Avokatit të Popullit, në 335 institucione të ndryshme shtetërore në Maqedoni nuk ka të punësuar asnjë shqiptarë.
Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit ka paralajmëruar përgaditjen e një analize të plotë dhe një data-baze lidhur me nxjerrjen e përfaqësimit të saktë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në institucionet shtetërore në Maqedoni. (INA)
© Panorama.al











