Malaj: Krijuam PS në 1991, kur të tjerët bënin pazare

Oct 8, 2011 | 12:01
Malaj dje gjatë takimit në Vlorë

Deputetët e PS-së, Arben Malaj dhe Andis Harasani, vijojnë takimet me intelektualët në qytetin e Vlorës, ku e kanë vënë theksin sërish te kufizimi i pushteteve të tejzgjatura dhe të pakufizuara në pak individë. Malaj, deputet i qarkut të Vlorës, u shpreh gjatë fjalës së tij se zërat kundër në PS nuk kanë qenë dakord për bllokimin e rrugëve dhe djegien e gomave një vit më parë. Sipas tij, reagimi i selisë rozë ishte se për tri ditë, Kryeministri Berisha do të rrëzohej nga pushteti. “Nuk kemi qenë dakord me protestat në urën e Mifolit dhe duke djegur goma. Protestat bëhen në sheshet kryesore, por dhe atëherë jo për këtë qëllim, por për çështje të tjera, ekonomike etj. Kur ne ishim zë kundër në PS, na thoshin ‘rrini urtë se për tri ditë do të rrëzojmë Berishën nga pushteti’. Ndenjëm urtë për të parë se deri ku do të arrinin. Doli ajo që thoshim dhe parashikonim ne zëri ndryshe. Berisha jo që nuk u rrëzua, po mori më shumë”, u shpreh Malaj.
Gjatë bashkëbisedimit me studentë e pedagogë ai u pyet edhe për paktin e ofruar nga Rama për maxhorancën, apo për përjashtimin e mundshëm të tij dhe një grupi deputetësh nga kongresi i Partisë Socialiste që do të mbahet në nëntor. I pyetur nëse do të krijojë një parti të re, ish-ministri i socialistëve u shpreh: “Unë e kam krijuar një parti të re në ’91-shin. Atëherë kur të tjerët strukeshin dhe bënin pazare, krijuam Partinë Socialiste. Ajo që ne kërkojmë është që PS të mos radikalizohet. Kjo është edhe strategjia jonë. Ne nuk kemi bërë qëndrime populiste, por kemi thënë atë që ju e keni të qartë. PS nuk duhet të qeverisë me modelin Berisha. PS ka qenë forca më demokratike në Shqipëri. Nuk jemi angazhuar për një parti të re, por për të bërë një cilësi të re në PS. Nëse disa mendojnë se janë pronarë të PS, ata janë pronarë të një karrigeje. Dështimet e PS-së kanë bërë që partia tjetër të rrijë gjatë në pushtet dhe, sa më gjatë të qëndrojë, aq më arrogante bëhet ajo. Të mos merret, kontrollohet edhe keqpërdoret PS”. Sa u përket politikave të brendshme të Partisë Socialiste, Malaj tha se Kryeministri Berisha duhet të mundet me avantazhet që ka PS. Sipas tij, selia rozë nuk duhet të ketë aleatë për karrige apo për të mbijetuar, teksa shtoi se në vitin 2013, që Berisha të ikë nga skena politike, duhet të ketë më shumë demokraci brenda vetë PS-së. I pyetur se çfarë qëndrimi do të mbajnë deputetët nëse do të përjashtohen nga kongresi, Malaj tha se “ne kemi deklaruar që përgjegjësia jonë është ndaj Partisë Socialiste, jo ndaj individëve të caktuar. Ne do të protestojmë për gjithçka që bie ndesh me interesat e vendit tonë, por nuk duhet të kalojmë në veprime radikale. Nuk ka nevojë në Shqipëri të bësh opozitë me bojkot. Nuk kemi frikë nëse do na përjashtojnë, apo do të ishim jashtë forumeve politike”. Sa i përket paktit të propozuar nga kreu i PS-së për maxhorancën, Malaj tha se “tashmë është krijuar mundësia që edhe ne të konsiderohemi pjesë e përgjegjësisë që pse të mos jemi kandidat. Sigurisht që qëndrimi kategorik i maxhorancës nuk mirëkuptohet as nga ne, por në këto kushte, palët duhet të ulen. Nuk jemi aq naivë të kuptojmë që kur kanë dashur dy politikanët janë ulur, ndërsa tani për ngërçin nuk pranojnë”.

Harasani: Ne, fajtorë që po qeveris Berisha-Meta
Deputeti socialist, Andis Harasani, në fjalën e tij tha: “Tema madhore që shqetëson Shqipërinë në këto vite është se kemi 20 vite tranzicion që mbahemi peng nga dy parti që nuk kanë demokraci të brendshme. Fajtorë që Shqipëria qeveriset nga Berisha-Meta jemi vetëm ne, Partia Socialiste. PS të mos bëhet OJQ, që herë bojkoton, herë hyn në grevë urie. Bojkoti duhet hequr si praktikë, Parlamenti është fusha e betejës”.

QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura