Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, iu përgjigj dje reagimit të Edi Ramës rreth lirisë në PS. Përmes faqes së tij në rrjetin social Facebook, Malaj shprehet se “Frika nga liria e shprehjes, kjo e drejtë universale e shoqërive demokratike, është frika nga dështimet personale”. “Kufizimi i lirisë së shprehjes përmes prishjes së takimeve të lira me anëtarë e simpatizantë janë një dëshmi publike e mentaliteteve të frikshme të lidershipit. Ndryshimi i Kushtetutës pa kurrfarë transparence publike dhe debati politik nuk ka asnjë lidhje me lirinë, por është një përpjekje e rrezikshme për instalimin e partitokracisë dhe lobingjeve të biznesit të lidhura me lidershipin, shenjë e frikës së lidershipit politik aktual nga mendimi ndryshe dhe ekspertiza profesionale”, shprehjet Malaj.
Teksa ka komentuar procesin zgjedhor për delegatët e Kongresit ditën e shtunë, Edi Rama ka hedhur poshtë çdo pretendim për mungesë lirie dhe demokracie në Partinë Socialiste. “Teksa PS voton demokratikisht Kongresin, një fjalë për ata që thonë s’ka liri në PS: “Kush s’di ç‘të bëjë me lirinë, ankohet nga mungesa e saj”, shprehet Rama në një koment të tij në rrjetin social “Twitter”. Në reagimin e tij, Malaj shprehet se mungesa e lirisë shfaqet kudo në PS. “Sistemi elektoral me lista të mbyllura, që erdhi si rezultat i marrëveshjes okulte për ndryshimet kushtetuese, nuk çoi në shprehjen e vullnetit të lirë të votuesve, por rriti lirinë e pakontrolluar të kryetarëve për të abuzuar me vullnetin dhe interesat e qytetarëve. Mosfunksionimi institucional, paraliza totale e forumeve partiake nuk zgjeron liritë e anëtarëve të tyre, por shton risqet për dështime të përsëritura të lidershipit në dëm të interesave themelorë të tyre”, vijon Malaj. Sipas tij, shpërdorimi me lirinë ka sjellë pasoja të rënda për vendin. “Klasa politike dështoi në përpjekjet për integrim në Europën e bashkuar të lirive themelore pa kufij, jo sepse në Shqipëri liria qenka me tepricë për shkak të kryetarëve, por sepse kryetarët ndihen pronarë me të drejta të pakufizuara mbi lirinë e qytetarit dhe aspak si menaxherë të përkohshëm të deleguar të fateve të vendit”, shprehet Malaj.
Sipas tij “E keqja e një shoqërie nuk qëndron tek njerëzit e këqij që aksidentalisht mund të dalin edhe në krye për një periudhë kohe të caktuar, por te mirëbesimi pa kufi e heshtja e njerëzve të mirë, kjo aksiomë filozofike ka shumë vlerë sidomos për të ardhmen europiane të shqiptarëve”.
Klosi: Kongresi, momenti i bashkimit të madh të socialistëve
Sekretari organizativ i PS, Blendi Klosi, e cilësoi Kongresin e 5 nëntorit si momentin e bashkimit të madh të socialistëve. Sipas tij, në zgjedhjet e së shtunës, morën pjesë 57.140 anëtarë të Partisë Socialiste, ose 64 për qind e anëtarësisë. Por Klosi theksoi se duke bashkuar dhe votën e emigrantëve që votuan për delegatët e tyre, pjesëmarrja në votime ishte 85%. Sekretari organizativ i PS vuri theksin dhe në faktin se 344 delegatë janë gra e vajza. “Pra, mbi 40% e Kongresit të kësaj partie. Kjo është fryma emancipuese e Partisë Socialiste për një Shqipëri të ekuilibruar në përfaqësimin gjinor të saj”, tha Klosi. “Kush ankohet për mungesë lirie në PS, nuk di ç’të bëjë me lirinë. Kush do ta përdorë lirinë për të bërë diçka të mirë për këtë vend, ja ku e ka PS-në. Të lirë. Demokratike. Të bashkuar. Të vetmen parti ku liria punon dhe garanton çdo anëtar në lirinë e vet”, u shpreh sekretari organizativ, duke perifrazuar dhe një thënie të djeshme të Edi Ramës në Twitter. Sipas tij, Kongresi i sapozgjedhur ka një mandat të fortë për të bërë zgjedhjet e duhura për një politikë të re të ndryshimit. “Më 5 nëntor, Kongresi do të bëjë zgjedhjet e duhura politike për ndryshimin radikal të sistemit të taksimit, të sistemit shëndetësor, të sistemit arsimor, të politikës në fshatin shqiptar. Për të pastruar Shqipërinë. Nga plehrat. Nga korrupsioni, nga fukarallëku dhe llumi që ka zhytur pushteti shtetin. Nga mbeturinat e të shkuarës që kanë bllokuar rrugën e integrimit”, tha Klosi.
ZIRINA LLAMBRO











