Deputeti socialist, Pandeli Majko, i njohur për daljet nga rreshti, theu dje heshtjen e PS për vdekjen e Ramiz Alisë. Dy herë ish-kryeministër i shqiptarëve, Pandeli Majko dje ndodhej në Bruksel, në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, dhe iu përgjigj menjëherë kërkesës sonë për një koment për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Ramiz Alia. Edhe pse selia rozë e kaloi në heshtje dhe pa asnjë prononcim formal nga zyra e saj e shtypit, Majko nuk hezitoi të jepte komentin e tij për njeriun që qëndroi në krye të politikës shqiptare në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, që shoqëruan lëvizjet demokratike. I kontaktuar në telefon, Majko e cilësoi Ramiz Alinë “një politikan hezitues, por të dyfishtë”. “Vdekja e Ramiz Alisë është pjesë e një rregulli njerëzor! Ai nuk është më! Nuk besoj se do të kujtohet si ‘trashëgimtari’ i Enver Hoxhës. Në fakt, ai ishte veç i zgjedhuri i tij, por vetëm kaq. Historia do ta njohë si politikan të dyfishtë, hezitues, por të aftë. Statusi i tij si politikan në historinë politike të Shqipërisë, ashtu si në biologji do të njihet si ‘amfioksi’, i cili lidh jovertebrorët me vertebrorët. Me sekretet e tij të pathëna, ai, pa dyshim, ka shfaqur dhe një dallim njerëzor për të cilin koha do ta tregojë nëse ishte drama apo zgjuarsia e tij e fundit. Ndryshoi, por nuk shfaqi pendim. E njihja jo shumë. Edhe me ndërrimin e jetës duket sikur na thotë matanë ‘daleni djema se është e komplikuar…’. Shpreh ngushëllime për familjen”, shprehet Majko në përshkrimin që i bën udhëheqësit të fundit të Partisë së Punës, e cila më 1991-shin u shndërrua në Partia Socialiste e Shqipërisë. Mësohet se edhe pse nuk doli me një deklaratë zyrtare për të përcjellë njeriun që u zgjodh Presidenti i parë i ligjshëm i Parlamentit pluralist, selia rozë nuk i ka kufizuar deputetët e saj të shprehen rreth ndarjes nga jeta të Ramiz Alisë, por pa e bërë këtë si një qëndrim zyrtar të Partisë Socialiste. Pritej që deputetë të vjetër të kësaj partie, të cilët kanë punuar me Alinë, të kishin shprehur publikisht ngushëllimet për familjen e ish-presidentit. Por, pritet që gjatë homazheve që do të zhvillohen sot në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, përveç komunistëve të deklaruar dhe veteranëve të luftës, të bëjnë homazhe dhe deputetë dhe ish-deputetë të spektrit të majtë.
Ilir Meta
I pari politikan që ngushëlloi familjen Alia menjëherë pas ndarjes nga jeta, ishte kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili vlerësoi kontributin e Ramiz Alisë gjatë viteve të luftës për çlirimin e vendit. “Ramiz Alia ishte një figurë e shquar e Luftës Antifashiste”, vlerësoi kreu i LSI-së në ngushëllimin e tij.
ARISTIR LUMEZI











