
Ka ashpërsuar tonet e debatit deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, gjatë fjalës së tij të djeshme në Parlament. Duke iu referuar vrasjes së gjykatësit Skerdilajd Konomi në Vlorë, ai vuri gishtin mbi qeverinë se po legalizon fenomenet e paligjshme që nxisin konflikte mafioze. “Erdhe këtu dhe na the se nuk dimë se Steve Jobsi ka vdekur dhe mbajte një faqe e gjysmë diskutim për të. Po a e di që në mes të Vlorës, një gjykatës, një djalë i ri, t’u hodh në erë nga mafia e tokave?”, tha Majko. Por, në fjalën e tij ai theksoi se çdo shqiptar është i rrezikuar nga mafia e tokave, madje nuk ngurroi të theksonte se dhe vetë Parlamenti. “Ai tritol ishte për shumëkënd dhe uroj që mos vijë në derë të këtij Parlamenti. Por mafia e tokave sot është realitet, dhe ky realitet ka filluar nga procesi i të kujtuarit të asaj që ka ndodhur me Partinë Demokratike këta 20 vjet”, u shpreh Majko. Ai iu referuar një sërë nismave që vetë qeveria “Berisha” ka ndërmarrë ndër vite, të cilat kanë krijuar fenomenin e legalizimit të gjithçkaje, duke filluar nga antikomunizmi apo shtëpitë e ndërtuara në tokë të paligjshme. Jashtë fjalës së Majkos nuk ka mbetur as censusi për popullsinë dhe banesat, që po zhvillohet aktualisht në vend dhe që sipas tij, shqiptarët e kanë frikë. “Legalizove antikomunizmin, antikomunist ishte ai që doje ti, pastaj legalizove shtëpitë e ndërtuara në tokë të paligjshme, pastaj legalizove paratë për ata që nuk ishin deklaruar, tani na del edhe një kodosh ambasador dhe na legalizon një abetare për shqiptarët në Serbi. Tani shqiptarët tmerrohen nga termi census. Pse? Sepse u duket si legalizim, sikur po legalizohen shqiptarët në Shqipëri. Sepse tjetri ta merr sy në sy tokën dhe thotë është e imja me letra”, tha Majko.
Të gjitha këto, deputeti socialist i tha gjatë diskutimit të buxhetit faktik dhe për këtë të fundit ai u shpreh haptas kundër, duke vlerësuar se buxheti dhe treguesit e financave publike si borxhi apo të tjerë, janë në nivele të larta. Ai u shpreh kundër buxhetit faktik të vitit 2010, duke vlerësuar në fund se nuk do të pranonte të bënte një legalizim të një buxheti. Nga ana tjetër, ai ngriti si shqetësim zhvillimet në vendet fqinje ku një pjesë ë mirë e emigrantëve punojnë dhe jetojnë, duke theksuar se ky duhet të jetë një shqetësim i qeverisë. Sakaq, për deklaratën e Kryeministrit për “të qenit socialist”, ai u shpreh ashpër se kjo maxhorancë duhet të shohë punën që i takon, dhe jo të bëjë opozitë. “Ti mor zotëri, vjen këtu me reklamacione jo jam socialist, jo jam kështu, po jam ashtu. S’të ka caktuar Kushtetua të bësh opozitën e opozitës. Je Kryeministri i vendit, mbaj vendin që të takon. Je dhe burrë i vjetër në moshë, nuk ke nevojë të bësh deklarata të natyrave që të bëjnë të qeshësh dhe vetë”, u shpreh Majko.
Malaj: Qeveria gaboi me buxhetin e 2010-s
Për deputetin e Partisë Socialiste, Arben Malaj, qeveria, gjatë vitit 2010, gaboi me buxhetin duke miratuar shifra të larta, të cilat përgjatë vitit 2010 iu desh t’i korrigjonte disa herë. Kjo, sipas Malajt, është një shprehje e joprofesionalizmit të hartimit të buxhetit nga maxhoranca, si dhe paqartësisë që ekziston te këta të fundit. Ai kritikoi për qëndrimin që maxhoranca mbajti ndaj deklaratave të opozitës, se buxheti i vitit 2010 ishte i tejfryrë. “A mund të jenë kaq joprofesionalistë kolegët e Partisë Demokratike dhe të paqartë, që e kanë miratuar 4 herë buxhetin e vitit 2010?! Ju kishit militantizmin tuaj partiak për të sulmuar opozitën kur ne mundoheshim t’ju qartësonim se buxheti i vitit 2010 ishte i tejfryrë dhe thjesht sa për ta shitur në publik. Këtë ua nxori në shesh 15 ditë më vonë, kur më 15 janar, ministri i Financave, me akt administrativ, bllokoi jo pak, por 30 miliardë lekë”, tha Malaj.
NERTILA MAHO











