Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, tha dje nga Korça se kandidatët në garën e 8 majit duhet të debatojnë në publik me njëri-tjetrin.Duke lajmëruar për një debat televiziv që pritet të zhvillohet këto ditë mes dy kandidatëve të Bashkisë së Korçës, në televizionet kombëtare, Majko tha se nga debati s’duhet të tërhiqet askush. “Nga ana e Partisë Socialiste, asnjëherë nuk ka pasur probleme me komunikimin me kundërshtarin politik. Ne mund të ndajmë opinione të ndryshme, por në radhë të parë jemi njerëz dhe si njerëz ne duam t’i shërbejmë komunitetit që na voton. Ajo që dëshiroj të them, do të ishte mirë që kundërshtarët në këtë garë përballë publikut, përballë medias duhet të dalin dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht polarizimit të madh që ekziston në Shqipëri, ne dimë të komunikojmë edhe si njerëz”, u shpreh Majko. Deri tani ende nuk ka një debat publik mes dy kandidatëve të Bashkisë së Tiranës, Rama-Basha, dhe pse nga faktori ndërkombëtar është shprehur se një debat i tillë publik do të ndihmonte zgjedhësit të merrnin përgjigjet e munguara. Pak ditë më parë, ambasadori i Shteteve te Bashkuara, Aleksandër Arvizu, kërkoi të zhvillohet një debat i hapur në media mes kandidatëve kryesorë në zgjedhjet e 8 majit. “Zgjedhjet kanë të bëjnë me çështje në interes të komunitetit. Ndaj kandidatët të jenë të përgatitur të flasin për probleme e çështje që shqetësojnë komunitetin. Po ashtu, prej tyre duhet të ketë edhe debate televizive, që në Amerikë janë të shpeshtë. Do të ishte mirë që kandidatët që garojnë për Tiranën të përballen në një debat televiziv”, u shpreh kreu i diplomacisë amerikane në Shqipëri pak ditë më parë. Një debat publik mes dy kandidatëve të Tiranës mbetet i pakonfirmuar, për shkak se kandidati socialist, Edi Rama, asnjëherë nuk është shprehur qartë nëse ka vullnet të përballet me kundërshtarin e tij politik. Ndërsa Lulzim Basha, kandidati i maxhorancës, është shprehur i gatshëm për të qenë prezent në një debat në cilëndo media televizive. Debatet mes Ramës dhe kundërshtarëve të tij kanë munguar në këto 10 vjet në krye të Bashkisë së Tiranës, përveç garës së vitit 2000 kur ai kandidoi për herë të parë për Bashkinë e Tiranës përballë Besnik Mustafaj. Por debatet nuk kanë munguar në media ditët e fundit mes kandidatëve të bashkive dhe komunave të vendit. Televizionet kombëtare, por dhe ato lokale, kanë zhvilluar thuajse çdo natë debate me kandidatët e të dyja koalicioneve në garë. Një nga debatet më të ndjekur dhe që zuri vend në faqet e gazetave, ishte ai mes kandidatit demokrat, Ferdinand Xhaferraj, dhe atij socialist, Vangjush Dako, për Bashkinë e Durrësit. Debati i zhvilluar në një nga sallat e Universitetit të Durrësit u ndoq me shumë interes nga studentët prezentë, por dhe nga teleshikuesit ku çështjet dhe problematika e qytetit ishin pika e nxehtë e tij.
Debati i Durresit
Debati mes dy kandidatëve për Bashkinë e Durrësit, Xhaferraj dhe Dako, ishte debati i parë publik i zhvilluar për zgjedhjet e 8 majit 2011. Dhe pse me tone të larta, në përfundim të tij kundërshtarët e mbyllën debatin e tyre me një shtrëngim duarsh dhe më pas ata kanë pranuar të pinë edhe një kafe së bashku në një nga lokalet e Universitetit. “Jam në këtë garë, sepse me të vërtetë besoj se me përkushtim shumë gjëra mund t’i bëjmë si duhet në qytetin tonë. Nuk kam ndërmend dhe nuk i kam thënë asnjëherë që në 4 vite premtoi pishinë, premtoi kinema, hapësira të gjelbra”, tha Xhaferraj.
Dhunohen simpatizantët e PS
Dega e Partisë Socialiste në Korçë denoncon dhunimin e dy simpatizantëve të saj gjatë aktivitetit të fushatës elektorale. Dy simpatizantë të kësaj partie, Nesti Proko dhe Gesi Salavaçi, sipas përfaqësuesit të zyrës elektorale të kandidatit të PS-së në Korçë, janë dhunuar gjatë vendosjes së posterave në qytet të kandidatit socialist Niko Peleshi. Sipas tij, ata janë dhunuar fizikisht, në dy incidente të veçuara nga njëri-tjetri.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











