Lustracioni kulturor dhe kremtimi i një përvjetori

Oct 28, 2011 | 10:07

GJERGJ META

Të luash me letrën e antikomunizmit në këto kohë është jashtë mode dhe jo e frytshme, njësoj sikur të luash me letrat e një lloj nacionalizmi romantik dylekësh të kohëve të fundit. Kjo kryesisht për këto arsye: së pari, sepse në këto vite antikomunizmi nuk është përjetuar si një përpjekje për të shëruar njeriun dhe shoqërinë nga ajo e  keqe e madhe ideologjike e praktike me dëshirën për të parë drejt një të ardhmeje më të mirë; së dyti, sepse letra antikomuniste në këto njëzet vite është përdorur më shumë si një element për t’u bërë biografinë njerëzve e për të bllokuar persona në ngjitjen e tyre drejt pushtetit me frikën se mos rrëmbejnë poste; dhe së treti, sepse antikomunistët që u dergjën apo u vranë burgjeve nuk ekzistojnë apo janë shumë të mënjanuar, saqë janë lënë vetëm në muzeun e kujtimeve.
Thënë kjo, nga ana tjetër, më tërhoqi vëmendjen këto ditë një dokumentar në të cilin ishin intervistuar shumë të rinj në SHBA në lidhje me Hitlerin dhe shumica e tyre nuk e dinin se kush ishte dhe se çfarë kishte bërë ky njeri. Mungesa e kujtesës historike sjell në përsëritje dhe kësaj duhet t’i ruhemi edhe ne si shoqëri, jo se mund të vijë komunizmi në rastin konkret, por sepse diktaturat janë gjithnjë pas dere e mezi presin rastin të hyjnë, sapo dikush harron se kanë ekzistuar.
Gjithsesi, çka më shtyu të shtrij këtë shkrim ende nuk është thënë dhe po e them tani. Para disa ditësh, poeti Dritëro Agolli festoi 80-vjetorin e tij të jetës. Ç’lidhje ka çka është shkruar më sipër me 80-vjetorin e Agollit? Po e shpjegoj me shpresën se do të kuptohem drejt dhe mirë, pa dashur të bie në nivelin e gjykimit mbi personat që sipas kredos time i takon vetëm Hyjit. Lidhur me këtë fakt dua të përmend edhe një publicitet që një universitet privat i bën vetes me disa shëmbëllime dhe fjalë të poetit, të shkëputura nga ceremonia me të cilën ky universitet i ka dhënë titullin “Doctor Honoris causa” atij. Që një universitet është i lirë t’i japë titujt kujt të dojë dhe si të dojë (edhe pse Honoris causa jepet për kontribute specifike në një materie që zhvillohet në atë universitet që jep titullin), këtë nuk e mohon askush. Çështja qëndron në një pikë tjetër. Poeti Dritëro Agolli nuk është një poet dosido, ai është një poet, i cili me veprën e tij ka ndikuar mbi breza të tërë të rinjsh e të rejash. Por, gjithashtu, poeti Agolli është një nga poetët e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Edhe kjo e fundit nuk mund të anashkalohet për disa arsye parimore, të cilat kanë të bëjnë me kujtesën e një kombi dhe plagët e tija. Po! Ai, sikurse edhe (më) shumë se të tjerë poetë e shkrimtarë të realizmit socialist, ka qenë një shkrimtar oborri, i cili ka vënë kulturën në shërbim të një regjimi diktatorial. Përballë kësaj nuk mund të mbyllë sytë askush, as institucionet shtetërore e as ato private sa herë që iu mbushet mendja të japin tituj e nderime. Dhe, nga ana tjetër, sa di unë, kurrë nuk ka pasur një shenjë pendese apo reflektimi për këtë gjë.
Akoma dhe më e rëndë mendoj bëhet situata kur një universitet (universitas) bën një reklamë për të ndjellë të rinjtë me shëmbëllimet dhe fjalët e një shkrimtari që i ka thurur poezi një diktatori. Të rinjve u ofrohet një model për t’i joshur ato të regjistrohen në universitet. Sigurisht, logjika e reklamës përgjithësisht është shumë makiaveliste, por kjo është e papranueshme kur bëhet fjalë për një institucion që pretendon të jetë një universitet. Universitet është fjalë e madhe, është fjalë fisnike, është tempull i kërkimit të së vërtetës, të së bukurës e të së mirës. Një universitet, skllav i logjikës komerciale dhe ideologjike, ka humbur domethënien dhe qëllimin e të qenit i tillë e në të vërtetë nuk ka se çfarë të ofrojë për një humanizëm të shëndoshë, i cili ka në themel të vetes një marrëdhënie të sinqertë (edhe pse nganjëherë të dhembshme) me të vërtetën.
Poetit i erdhën urimet ngado, nga krerë shteti, ente publike e private, të gjithë rendën si në një delir kolektiv për ta uruar. Jam i sigurt se disidentët e vërtetë të regjimit komunist, nga të cilët unë pak kam takuar apo i kam takuar vetëm nëpër libra, sepse tashmë kanë vdekur, do të ishin të kënaqur për këtë gjë. Po, po! Të kënaqur dhe të gëzuar, sepse ata dhanë jetën dhe vitet më të bukura të jetës së tyre që edhe Dritëro Agolli të festonte ditëlindjen i lirë me miqtë dhe dashamirët që dëshiron, t’i shkruante poezitë si të donte, por ne nuk mund t’i lëmë në këmbë në panteonin e kulturës shqiptare ata duke i eklipsuar apo ende duke i frikësuar me modele të këtilla. Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj faktit që vepra dhe kultura që prodhuan Dritëroi dhe të tjerë shkrimtarë të mëdhenj apo të vegjël, këtë liri nuk e kërkuan për kolegët e tyre, madje e penguan atë, madje himnizuan këtë pengim. Dhe shtetarët e sotshëm nuk mund të jenë indiferentë apo aq më keq, akondishendentë ndaj një kulture të tillë që në llojin, kohën dhe vendin e vet ka përndjekur e vrarë, ka prodhuar viktima të pafajshme.
Lustracioni nuk është vetëm një akt kontrolli në dosje për të penguar dikë në karrierë, por është para së gjithash një purifikim i brendësishëm i zemrës dhe i mendjes. E ajo çka ndodh brenda duhet të shfaqet së jashtmi sa here që dikush mëton të zërë hapësirat publike. Ka të bëjë me një Confiteor laik, një mea culpa individuale dhe kolektive, jo për të dënuar dikë, por për të shëlbuar. Lustracioni nuk është gijotinë, por shërbim i një kombi, i një shoqërie, i një personi që do të dalë nga e keqja që e ka mbërthyer. Është një proces paqtimit dhe pajtimi, por që kurrë nuk mund të ndodhë nëse ne harrojmë apo nuk dimë të kërkojmë falje. Aq më shumë kur ne sot kemi për detyrë t’u lëmë brezave të ardhshëm diçka mbi të cilën të rriten e të edukohen me dashuri dhe harmonishëm për të bukurën, të vërtetën e të mirën.

© Panorama.al

Te lidhura