
Ajo ka në duar një pasuri të tërë. Qasja personale për t’u angazhuar në koleksionimin e veshjeve të vjetra popullore, që mbartin vlera etnografike, shkon përtej pasionit të Luljeta Danos për ruajtjen me fanatizëm të traditës kulturore në trevat e ndryshme vendëse. Një pasion, që rëndon jo pak në buxhetin e saj financiar, me një kosto kohore që prek jo vetëm atë, por edhe familjarët. Por, të gjitha këto përpjekje e kanë një qëllim: ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Koleksioni i Luljetës vijon të pasurohet çdo ditë me veshje dhe objekte të reja etnografike, po aq sa krijimtaria e saj letrare, me një botim të ri që së shpejti do t’u bashkohet stendave të librarive në vend.
Ç’ju shtyu drejt koleksionimit?
Besoj se një objekt me vlerë ka shpirtin e tij, ka të gjallën në qenien e tij. Procesi i lidhjes së këtij objekti me njeriun është produkt i ndërlidhjes universale të gjërave. Kam pasur një lidhje të ngushtë me stërgjyshen time, Maja Licën. Aroma e kujtimeve të dashura e të shtrenjta me të, pasuria e sendeve të saj, them se janë një veçori gjenetike për të shkuar te koleksionimi. Në këtë marrëdhënie familjare nuk ishte thjesht fati i mirë të rritesh me stërgjyshen, por ajo më dhuroi një ndjesi të fortë, se sa më poshtë të zbrisje në kohë, aq më të bukura ishin gjërat që mund të shihje dhe të mësoje.
Sa i pasur është koleksioni juaj privat?
Është aq i pasur sa dashuria që unë kam për të dhe për gëzimet e jetës. Por unë e kam parë gjithmonë veten si një njeri i zgjedhur që duhet t’i shoqërojë e t’i mbrojë këto vlera në një kohë të shkurtër të jetës së tyre të gjatë, gjersa t’u gjej vendin e duhur për të qenë të ekspozuara në dritën që meritojnë.
Ju merreni dhe me restaurimin e tyre, kur ndërhyni?

Procesi i restaurimit nuk është i thjeshtë, është i kushtueshëm. Kimikatet fshehin të papritura e rreziqe, ndaj mbetet gjithmonë të polemizuara edhe në muzetë e galeritë më të famshme të botës. Disa herë jam konsultuar dhe me prof. Frederik Stamatin, si dhe restaurues të tjerë me kontribute të veçanta në këtë fushë; Punë që ka në dorë sa ringjalljen e objektit, aq edhe ndërhyrjen e gabuar, e degradimin e pakthyeshëm të saj.
Koleksionin ju nuk e mbani vetëm për vete, e keni ekspozuar, por keni përgatitur edhe botime për to, cili ka qenë emocioni që keni marrë prej këtyre aktiviteteve?
Do veçoja një episod me modelen e njohur njujorkeze, Lu, më 24 tetor 2009 në Gjakovë, një sfilatë mode “Ku moda takon traditën”. Ishte një bashkëpunim me piktoret Najada Hamza dhe Genta Spahia, aksesorë modernë dhe xhubleta origjinale. Merrte pjesë dhe modelja tjetër e famshme shqiptare, Emina Cunmulaj, e cila u vesh me xhubletë të bardhë. Luja pyeti në çastin e fundit, para se të hynte në skenë, si qe natyra e gruas që vishej kështu, i thashë: E fortë, luftëtare. Bukuroshja zezake Lu parakaloi, u kthye dhe qëndroi stoike mes skenës, sikur të qe lindur e rritur mes shkrepave të Alpeve. Salla u ngrit në këmbë me duartrokitje. Nuk përshkruhet me fjalë, por Luja e veshur me kostumin e plotë kombëtar me xhubletë dhe stolitë e tij, që janë një arsenal i tërë reliktesh sermi, shkaktoi një emocion të jashtëzakonshëm për të gjithë ne shqiptarët.
Çfarë duhet ta karakterizojë një koleksionist?
Nëse i referohem patologjisë së koleksionimit, them se të jesh koleksionist, nuk do të thotë që ti ke një koleksion, por është një koleksion që të ka ty!
A ke ndonjë objekt të koleksionit që e ke më për zemër?
Nuk është një objekt i përveçëm, është një tërësi objektesh muzeore etnografike, që përfshijnë një hartë, kryesisht të Veriut të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare rrotull tij jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë, është universi i xhubletës shqiptare, që e shoqëroj me familjen tjetër, për nga sistemi i simboleve shumë e afërt me të, veshja kombëtare e Mirditës, veshja kombëtare e Malësisë së Gjakovës etj.
Përveç shpenzimeve e kënaqësisë, çfarë jep në këmbim të pasurit e një koleksioni?

Koleksionin nuk e kam të trashëguar, por e kam ndërtuar me sakrifica të jashtëzakonshme financiare, por edhe privime të tjera në të përditshmen familjare, ndaj në emër të këtyre sakrificave, që nuk janë vetëm të miat personale. Unë ndihem e lehtësuar, sepse nuk shkuan kot sakrificat tona dhe paratë të cilat kam shpenzuar për të blerë vlera të tilla, që vetëm blihen me para, porse vlera e tyre e vërtetë nuk matet me para, por me atë të thesarit kombëtar.
Ju më së shumti ju njohin si poete, si qëndron krijimtaria në raport me koleksionimin?
Të dyja janë tanimë fort të lidhura me njëra-tjetrën. Ka një ligj në antropologji, që thotë se edhe duke e vështruar një komunitet pa bërë asgjë, ke aftësinë të ndikosh, ta ndryshosh atë. Vështrimi im pa veprim ndaj etnokulturës shqiptare shkon përtej koleksionit tim dhe përtej krijimtarisë sime.
Keni ndonjë libër në duar?
Do të jetë së afërmi libri më i rëndësishëm i hulumtimeve dhe studimeve të mia etnografike, një studim gjithëpërfshirës mbi xhubletën, mbi prejardhjen, ndërtimin, gjuhën dhe tekstet në sistemin piktografik të saj, me titull “Antropologjia e xhubletës shqiptare”.
Meqë jemi te xhubleta, ç’do të thoshit për përfshirjen e kësaj veshjeje në listën e pasurisë botërore, në mbrojtjen e UNESCO-s?

Pak shqiptarë e dinë që Berati dhe Gjirokastra janë futur në listën e marrjes në mbrojtje nga UNESCO, për arkitekturën otomane që gjendet në disa ndërtime të këtyre dy qyteteve. Ky motivacion shkakton revoltë tek shqiptarët që njohin dhe të tjera vlera pastërtish të trashëgimisë shqiptare te këto dy qytete. Së bashku me dosjen që është duke përgatitur MTKRS-ja për Eposin legjendar të Veriut, le të shtohet edhe veshja kombëtare e burrave dhe grave të kësaj treve, le të diskutohet mes studiuesish dhe më gjerë për shtojca të tjera e të pandashme të arealit, që të mos japin edhe kësaj here një motivacion cung për Eposin në UNESCO.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











