Luksemburgu i vogël si alarm i madh!

Apr 15, 2026 | 7:45

JORGJI KOTEDR.JORGJI KOTE

Në kontrast të dukshëm me suksesin e bujshëm të vitit të kaluar kur u çelën negociatat e anëtarësimit në BE për të gjashtë grup kapitujt (clusters), katër muajt e parë 2026 nuk kanë nisur fare mbarë. Më 25 mars, Komiteti i Përhershëm i Ambasadorëve të 27 Shteteve Anëtare (COREPER) për shkak të hezitimeve dhe skepticizmit të 3 – 4 vendeve nuk arriti ta miratojë Raportin e Komisionit Europian për Vlerësimin e Ndërmjetëm të Standardeve ( IBAR). Në vijim, më 1, 7 dhe 9 prill, po në Bruksel, Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE (COELA) ka diskutuar gjatë me pyetje, dyshime dhe kërkesa për sqarime nga Komisioni Europian por edhe ai pa rezultat deri tani. Madje, në rastin e COELA-s, nga 4 shtete skeptike në fund të muajit mars janë bërë nëntë të tilla. Mirëpo, në mungesë të miratimit të IBAR-it, 18 muaj pas çeljes së tyre është shtyrë mbyllja e shumëpritur e grup-kapitujve 23 dhe 24, ose “Themelorët” siç njihet, pa të cilët nuk mbyllet dot asnjë grup tjetër. Sepse kapitujt 23&24 janë “artileria e rëndë” e procesit ose “Thembra e Akilit” për ne, mbasi përfshin shtetin e të drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Një lajm aspak i mirë ky, kur nuk na kanë mbetur as 18 muaj për të mbyllur të gjashtë grupkapitujt më 2027. Dukuria tjetër shqetësuese është se krahas një “të madhi”, Gjermanisë, skeptikët e tjerë janë 5–6 vende të nivelit të mesëm në terma gjeografikë, si Greqia, Bullgaria, Finlanda, Suedia, Austria dhe diçka më e madhe Polonia. Dhe nuk është siç thuhet se “të mëdhenjtë duan të na nxijnë jetën ne të vegjëlve”. Po të ishte kështu, përse e miratoi COREPERI IBAR-in e Malit të Zi qysh në takimin e parë më 25 mars? Pastaj, mirë Greqia dhe Bullgaria kanë probleme me pronat dhe pakicat me ne, po të tjerët, si Finlanda, Suedia, Austria, ç’hatërmbetje apo inat kanë ndaj nesh? Shqetësimi tjetër jo më i vogël tek i cili do ndalemi më poshtë është se bashkë me tetë skeptikët e tjerë, për herë të parë në 35 vitet e fundit është edhe Luksemburgu. Habia dhe befasimi këtu duhet të jenë më të mëdha te ata ekspertë dhe diplomatë që kanë punuar në ambasadën tonë në Bruksel, e cila krahas Belgjikës, mbulon edhe “vëllain e saj të vogël” Luksemburgun, ku edhe autori i këtyre ka shërbyer si diplomat për 10 vjet (1997 – 2001 dhe 2011 – 2017). Ndaj, çka shkruhet më poshtë nuk janë nga literatura, por nga përvoja diplomatike me Dukatin e Madh. Nisur nga sa sipër, është me interes të njihen “pse-të” e daljes së Luksemburgut si ’bllokues’ qoftë edhe i përkohshëm. Prej këtej mund të nxirren mësime të vlefshme për suksesin e procesit tonë të negociatave dhe anëtarësimit në BE.

Tani, vërtet që nisur nga sipërfaqja gjeografike me vetëm 2856 km katrore dhe me 700.000 banorë, Dukati i Madh është mikroshtet, por ama me emër, famë dhe autoritet shumë më të madh, falë traditave dhe historisë së tij luftarake, përpjekjeve për paqe dhe demokraci dhe në 80 vitet e fundit për ndihmesën e jashtëzakonshme në proceset Euro-Atlantike dhe më gjerë. Rikujtojmë se liderët e tij bashkë me ata të Belgjikës dhe Holandës krijuan qysh në vitin 1944 në egzil në Londër BENELUX, laboratorin, inkubatorin dhe bërthamën e BE-së së ardhshme, i cili vazhdon të funksionojë edhe sot e kësaj dite. Duke u bërë model edhe për disa grupime të tjera të ngjashme pas viteve 90 që ndihmuan vende të tjera dhe ato ish lindore në përshpejtimin e anëtarësimit në BE, si Nisma e Europës Qendrore (NEQ), Këshilli Balltik, etj. Sa për “Ballkan i Hapur” që lindi i vdekur, ndryshe nga pretendimet, ai nuk kishte asnjë lidhje me Benelux, as në germa dhe as në frymë!

Më tej, në vitin 1945 Luksemburgu u bë bashkëthemelues i OKB-së, pastaj i NATO-s më 1949 dhe i BE-së më 1958. Madje, qyteti i Luksemburgut është kryeqyteti i tretë europian pas Brukselit dhe Strasburgut. Aty janë selia e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Bankës Europiane të Investimeve dhe zyra të Parlamentit Europian. Por ka edhe më; në vitin 1985, atje në fshatin e vogël Shengen, në kufi me Francën dhe Gjermaninë, Luksemburgu mikpriti Samitin e madh, që me zgjerimin e tij u kthye në histori suksesi me zonën emblematike të katër lirive të mëdha europiane. Këtu, edhe për ne shqiptarët është e rëndësishme të theksohet se Luksemburgu ka krijuar traditën historike për të qenë përherë pranë dhe në mbështetje të vendeve të tjera të vogla. Ndërmjet shumë masave dhe veprimtarive, atje zhvillohen periodikisht forume dhe samite të 10 vendeve më të vogla nga ana gjeografike, ku ka qenë edhe vendi ynë. Ai ka mbajtur anën e tyre në të gjitha situatat, duke i ndihmuar në shumë forma duke mos i penguar në asnjë rast, ca më pak publikisht, duke i nxitur dhe inkurajuar në proceset e tyre Euro-Atlantike.

Një konstante e përhershme e këtij vendi me vokacion të theksuar Euro-Atlantik. Madje, edhe samitet BE-Ballkani Perëndimor që tani janë kthyer në rutinë, e kanë zanafillën pikërisht te Luksemburgu, i cili mikpriti Samitin e parë me rajonin tonë gjatë presidencës së tij të 12 -të të BE-së më 1 korrik–31 janar 2014 bashkë me takime të ministrave të Jashtëm, të Drejtësisë, zyrtarëve të tyre të lartë, etj.. Këtë mbështetje Dukati i Madh nuk e ka dhënë vetëm me deklarata dhe letra, por edhe në terren, në procese madhore dhe historike për vendet e rajonit dhe në veçanti për Shqipërinë dhe Kosovën. Ai ishte ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës, duke kontribuar edhe me trupa ushtarake në kuadrin e KFOR-it. Në vitin 2014, Duka i Madh Henry shkoi edhe vetë për vizitë në Prishtinë. Luksemburgu është ndër të parët që ka mbështetur pa rezerva proceset tona reformuese demokratike, anëtarësimin në OSBE, KiE, në NATO dhe në BE në të gjitha fazat e saj. Ai na është ndodhur pranë me ndihma humanitare, materiale dhe me avionë në raste përmbytjesh dhe tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ndërkohë, Dukati i Madh ka treguar kujdes dhe bujari me komunitetin e vogël por cilësor shqiptar atje.

Edhe marrëdhëniet tona dypalëshe politike, ekonomike, kulturore dhe njerëzore kanë qenë dhe janë shumë të mira dhe miqësore, deri edhe në shkëmbime vizitash në nivelet më të larta shtetërore dhe qeveritare. Qysh në vitet ‘90, Luksemburgu ishte ndër të parët që filloi përgatitjet për investime madhore në vendin tonë, por kriza e piramidave i hodhi ato në erë. Përpjekjet e tij kanë vijuar edhe më vonë, edhe pse autoritetet dhe institucionet tona i kanë nënvleftësuar ato. Është tejet e çuditshme dhe e pashpjegueshme që përfaqësues të firmave, dhomave të tregtisë etj., vijnë në Bruksel dhe nuk marrin mundimin të shkojnë në Luksemburg.

Ca më tepër se eventet e shumta të çdo lloji që zhvillohen atje janë me formate dhe jehonë europiane dhe më gjerë. Sepse Luksemburgu zhvillon tregti, investime dhe veprimtari bankare kudo në botë në vlera prej qindra miliarda Euro. Aty janë “strehuar” 150 banka dhe fonde gjigante investimesh shumëkombëshe. Dukati ka të ardhurat për frymë më të larta në botë dhe është dritare e madhe drejt Europës! Më tej, në një plan më social dhe njerëzor, Luksemburgu është vendi i dytë i BE-së pas Belgjikës me të cilin pas disa vite bisedimesh vendi ynë nënshkroi në vitin 2015 Marrëveshjen e rëndësishme mbi Mbrojtjen Sociale dhe Njohjen e Pensioneve. Për t’iu rikthyer temës sonë, pavarësisht se Luksemburgu na ka mbështetur gjithmonë në procesin e negociatave, në takimet diplomatike dhe konfidenciale, ai na ka paralajmëruar vite më parë për problemet, mungesat dhe mangësitë tona, në mënyrë që ato të vlerësohen drejt dhe të shmangen përpara se të jetë vonë. Kjo ndodhi edhe 10 vite më parë, më 15 prill 2016 gjatë Konsultimeve diplomatike dypalëshe në Luksemburg. Palën tonë e kryesoi me kompetencën e njohur dhe vlerësuar ministri i sotëm i Jashtëm, zoti Ferit Hoxha, në atë kohë drejtor politik në MEPJ, bashkë me ambasadoren Suela Janina dhe drejtoren e BE-së, Elida Petoshati.

Duke qenë edhe vetë i pranishëm në atë takim shumë dashamirës, mikpritësit gjatë bisedimeve dhe drekës tejet miqësore na i thanë “me pambuk” problemet tona, duke ofruar ndihmën dhe lobimin e tyre edhe te vendet e tjera. Ca më tepër se ministri i tyre i Jashtëm, Jean Asselborn, që qëndroi në atë post 19 vjet (2004 – 2023) e kishte shumë për zemër Shqipërinë. Ai ka shkuar në Tiranë dhe ka mikpritur homologët e tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Dukatin e Madh. Atëherë, si shpjegohet ky qëndrim i tanishëm i Luksemburgut? Fare e thjeshtë, ne nuk e kemi mbajtur fjalën dhe premtimin që u kemi dhënë sa e sa herë, ndaj edhe atyre u “ka ardhur vërtet në majë të hundës”, sepse e “kemi mbushur dhe po e derdhim kupën” e durimit të tyre me mungesa, vonesa dhe pengesa për të cilat nuk na i ka fajet njeri. Sepse partnerët tanë luksemburgas, por jo vetëm ata, vërtet që deri tani në raste të caktuara e “kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh” ndaj nesh; mirëpo, kur vjen puna te shteti i të drejtës, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe mosndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë, ai nuk të fal. Veç kësaj, miqtë luksemburgas e kanë mbajtur fjalën dhe nuk na kanë i kanë nxjerrë problemet tona në publik, por kjo nuk do të thotë që ne të vazhdojmë “pushka bam dhe Muçua tutje” duke abuzuar me besimin dhe durimin e tyre. Dhe prapë ata e kanë shprehur kundërshtimin e tyre pa zhurmë vetëm në forumet e duhura, me qëllim që siç thuhet nga anët tona “t’i bien pragut që të dëgjojë porta”.

Për këto arsye dhe falë besueshmërisë së tij, Luksemburgu dëgjohet me vëmendje dhe çmohet shumë më tepër se po të ishin bie fjala Qipro dhe Malta. Ndaj dhe kur liderët e BEsë vihen në vështirësi në emërimet e drejtuesve më të lartë, Luksemburgu ofrohen zgjidhje dhe kompromis; dy ish-Kryeministra të tij, Jacques Santer dhe Jean Claude Juncker kanë qenë Presidentë të Komisionit Europian.

Nisur nga sa sipër, tregojnë se ish-Presidenti francez Pompidu pati thënë që, “nëse duhet të zgjedhim një President për Europën, ai duhet të vijë nga Luksemburgu!”.

Ja pse, kur ndaj nesh “rebelon” qoftë edhe një vend i vogël gjeografisht, por jo diplomatikisht si Luksemburgu, kjo duhet të jetë vërtet kambanë e madhe alarmi. Ashtu siç e kam nënvizuar dy vjet më parë te libri “Negociatat, sfida e fundit e integrimit” dhe në shkrime të mëvonshme, tani është momenti që qeveria dhe veçanërisht Kryeministri Rama të heqin dorë nga justifikimet, sofizmat dhe eufemizmat, kërkimit të “gjethes së fikut”, kunjave dhe batutave dhe propagandës bajate, të cilave tanimë u ka dalë boja; apo të viktimizohet, duke fajësuar me vend dhe pa vend opozitën dhe median dhe “të mëdhenjtë” e BE-së, për gjynahet tona.

Me këtë rast le t’i themi gjërat troç; askush në BE nuk ka inat, as nuk do të na nxijë jetën, përkundrazi. Po pse atëherë? Sepse katalogu me 10 – 15 kushtet dhe kriteret e famshme është ende në fuqi. Vërtet që “detyrat e tij të shtëpisë” i kryem jo keq por vetëm për çeljen; ndërsa mbyllja e negociatave na ka caktuar detyra shtëpie të tjera më të vështira dhe konkrete.

Sa për çështjen problematike të ishzv.kryeministres, ajo është vetëm maja, kulmi dhe simboli i prekshëm i mungesës së vullnetit qeveritar për të luftuar pandëshkueshmërinë, diçka e patolerueshme për standardet e BE-së, sidomos ndaj vendeve aspirante. Por duam apo nuk duam, aty qeveria është kapur “mat”! Më tej, MEPJ-ja dhe ekipi i negociatorëve me instancat e tyre përkatëse lipset të bëjnë analizën tërësore të gjendjes, të shkaqeve dhe problematikave me të “mëdhenjtë”, të mesmit dhe deri te “zemërimi” i Luksemburgut të vogël, bashkë me zbatimin me cilësi dhe pa vonesa të masave dhe reformave të njohura madhore.

Kësisoj, t’u konfirmojmë partnerëve europianë se ne i qëndrojmë seriozisht objektivit të anëtarësimit në BE në vitin 2030; ama të plotë, jo gjysmak si në editorialin famëkeq, as me “teka dhe bishta”. Ndryshe, të mos çuditemi kur të na e shtyjnë objektivin BE 2030, me kthimin mbrapsht e deri te “rënien nga kategoria”! Madje, në një moment të caktuar edhe faktori i favorshëm gjeopolitik mund ta humbasë fuqinë përballë kërkesave ulëritëse për reforma dhe jo retorika. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, qeveria të krijojë klimën, mjedisin dhe një atmosferë gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë, sidomos me opozitën, median, shoqërinë civile, grupet e interesit etj.. Dakord, në BE nuk do të hyjë vetëm diplomacia dhe qeveria, por gjithë shoqëria dhe Shqipëria. Gjithsesi, si lavdet për meritat dhe qortimet për mëkatet e këtij procesi historik i ka qeveria!

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura