
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e dhurimit të shtatë anijeve të lundrimit nga Komisioni Europian për Policinë Kufitare. Mjetet e reja kapin shifrën e 3.2 milionë eurove. Në fjalën e tij, kreu i Ekzekutivit u shpreh se falë luftës ndaj trafiqeve nuk ka pasur më mbytje në det, ndërkohë që u arrit edhe liberalizimi i vizave. “Këtu, pak milje nga ne, ndodhet kanali i Otrantos. Për vite dhe vite, ky kanal u bë për shqiptarët simbol i fatkeqësive dhe dramave të mëdha njerëzore. Këto vite, shqiptarët nuk kanë humbur më jetën në detet e tyre. Puna e shkëlqyer që ju keni bërë, bëri të mundur që trafiqet të marrin përgjigjen më të merituar. Po kjo punë u kurorëzua me sukses të madh në heqjen e vizave. Natyrisht, krimi dhe trafiku nuk ka viza, ndaj është e domosdoshme të bëjmë gjithçka për ta shtypur atë kudo që gjendet, në det, në tokë, kudo ku shfaqet. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që nga brigjet tona të mos mund të lundrojë krimi dhe trafiqet drejt brigjeve të vendeve mike”, u shpreh kreu i qeverisë. Ndërsa ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, duke iu referuar shifrave, foli për trafikun e lëndëve narkotike. “Nëse gjatë vitit 2004, Policia e Kufirit të vendit fqinj, Italisë, deklaronte se kishte sekuestruar rreth 1050 kg heroinë të trafikuar nga bregu i Shqipërisë, në vitet 2009, 2010 dhe 2011 kjo sasi ka arritur në më pak se 10 kg. Natyrisht, është një sfidë e hapur, një sfidë e hapur në luftën e institucioneve tona kundër trafikut”, u shpreh Nishani. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kreu i KE-së, Etore Sekui, i cili deklaroi se ndihma dhe mbështetje e BE-së për Shqipërinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Kontrolli kufitar dhe lufta kundër trafiqeve është një sfidë ndërkombëtare”, cilësoi Sekui, ndërkohë që shtoi se “liberalizimi i vizave tregon rritjen e standardeve në mbrojtjen e kufijve blu, ato detarë dhe tokësorë”. “BE do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë, por është vendosmëria e autoriteteve shqiptare që do të bëjë që kjo mbështetje të jetë e qëndrueshme”, vijoi ai. q.b











