Lufta hibride ruse, Polonia arreston 3 bjellorusë dhe 2 ukrainas për spiunazh! Po përgatisnin sulme kibernetike, zjarrvënie dhe sabotime, paguheshin me kripto

Nov 28, 2025 | 17:07

Autoritetet polake kanë arrestuar dy shtetas ukrainas dhe tre bjellorusë, nën dyshimin për spiunazh.

poloni

Prokurorët polakë thanë të martën se kishin arrestuar 5 të dyshuarit, me akuzën e veprimit sipas urdhrave të shërbimeve të inteligjencës së huaja, ndërsa Varshava paralajmëroi për përpjekjet ruse për të destabilizuar vendet që mbështesin Kievin.

Polonia thotë se është shënjestruar nga zjarrvënie dhe sulme kibernetike si pjesë e asaj që e quan një “luftë hibride” të zhvilluar nga Rusia, për të minuar mbështetjen për Ukrainën. Moska i mohon akuzat.

Të dyshuarit Oleksandr S. dhe Sofia Ts., të cilët raportohet të jenë shtetas ukrainas, dhe bjellorusët Viktoria M., Anton M. dhe Vladimir U. u arrestuan, sipas zyrës së prokurorit, nga policia dhe shërbimet sekrete më 25 dhe 26 nëntor.

Ata po fotografonin infrastrukturën e sigurisë kombëtare

Aktivitetet e tyre, shtojnë prokurorët, përfshinin fotografimin dhe transmetimin e fotove të infrastrukturës kritike dhe vendeve të rëndësishme nga perspektiva e sigurisë kombëtare, në vitin 2024 dhe muajt e parë të vitit 2025.

“Për këto qëllime, të dyshuarit u paguan me kriptovaluta”, thuhet në deklaratën e prokurorëve. Spiunazhi në Poloni mbart dënime me burgim nga 5 deri në 30 vjet.

Tre nga të dyshuarit u mbajtën në paraburgim për tre muaj, ndërsa i mituri u dërgua në një qendër paraburgimi për të mitur. Vladimir U. iu ndalua të largohej nga vendi dhe nuk u arrestua për shkak të shëndetit të tij të dobët.

“Hetimi ka të bëjë me përfshirjen e individëve në aktivitete me shërbime të huaja inteligjence kundër Republikës së Polonisë midis marsit 2024 dhe shkurtit 2025 në Rzeszow, Varshavë, Łódź dhe vende të tjera”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.

“Aktivitetet përfshinin marrjen dhe ndarjen e fotografive të infrastrukturës kritike, si dhe vendosjen e posterave dhe krijimin e grafiteve”, përfunduan autoritetet deklaratën.

© Panorama.al

Te lidhura