Në Ditën e Rinisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar qeverinë socialiste, ndërsa u ndal tek Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra dhe e marrë nën hetim nga SPAK për aferat me tunelin e Llogarase dhe Unazës së Madhe.
Berisha tha se ‘kurrë kombi shqiptar nuk ka patur në krye një si Lubi Balluku”, që sipas tij ka vjedhur pasuritë e shqiptarëve.
Po ashtu, Sali Berisha kritikoi mënyrën e qeverisë, që sipas tij ka detyruar te rinjtë shqiptarë të largohen nga vendi.
“Kurrë ky komb nuk ka patur në krye një dyshe të tillë siç ka Ramën dhe Lubi Ballukun që ta kenë vjedhur atë, as 1 të 100 e atyre që kanë vjedhur këto dy monstra të vjedhjes dhe të grabitjes së pasurive të shqiptarëve. Është i pari kryeministër në historinë e Evropës që mbron vjedhjet e tij dhe të ministrave. Sot në ditën e Rinisë, Rama vjen si armiku më i egër i shqiptarëve. Në 10 vite të sundimit të tij plaçkitës, me politikat e tij përzuri nga Shqipëria mbi 700 mijë të rinj dhe të reja. Rama me ndihmën e Sorosit, mafies ndërkombëtare të ekstremit të majtë bëri gjithçka për një Shqipëri pa opozitë. Por dështoi”, tha Berisha.
Pjese nga fjala e Berishës
Zonja dhe zotërinj, sot pas 35 vitesh, qytetarët shqiptarë kujtojnë dhe nderojnë këtë ditë pasi Edi Rama, pasardhës direkt biologjik i etërve xhelatë të regjimit komunist, Kristaq Ramës që në gusht të vitit 1988 kishte firmosur varjen në litar të poetit Havzi Nela dhe kushedi sa e sa kundërshtarëve të regjimit, dhe Spiro Kolekës, i cili edhe më 11 dhjetor në mëngjes kërkoi shtypjen me tanke të lëvizjes studentore, ka vendosur në Shqipëri diktaturën autoritare, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Armik i votës së lirë dhe skllav i pushtetit të tij të krimit, ai ka zëvendësuar zgjedhjet e lira me farsën zgjedhore.
Ai ndërtoi në Shqipëri jo vetëm narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, por instaloi regjimin më kleptokratik që shqiptarët kanë njohur në ekzistencën e tyre.
Kurrë ky komb nuk ka pasur në krye një dyshe të tillë siç ka Edi Ramën dhe Lubi Ballukun që ta ketë vjedhur atë as një të qindtën e atyre që kanë vjedhur këto dy monstra të vjedhjes dhe të grabitjes së pasurive kombëtarë të shqiptarëve.
Ai sot është i pari kryeministër në historinë e Europës që mbron publikisht vjedhjet e tij dhe të ministrave të tij.
Sot, në Ditën e Rinisë, më 8 dhjetor, Edi Rama vjen si armiku më i egër i të rinjve shqiptarë në tërë historinë tonë.
Në 10 vite të sundimit të tij plaçkitës dhe narkoregjim, me politikat e tij përzuri nga Shqipëria mbi 700 mijë të rinj dhe të reja, apo rreth 70 përqind të të rinjve shqiptarë.
Edi Rama, me ndihmën e Xhorxh Sorosit, mafies ndërkombëtare të ekstremit të majtë, bëri gjithçka për një Shqipëri pa opozitë, pra për të varrosur përfundimisht pluralizmin politik dhe idealet e dhjetorit 1990.
Por dështoi sepse ato ideale janë të pavdekshme, ato frymëzojnë sot çdo opozitar shqiptar, çdo të ri shqiptar të qëndrojë me guxim në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit të tyre.
© Panorama.al












