LSI: Meta, padi për shpifje gazetës “La Republika”

Oct 21, 2011 | 14:03

TIRANE- LSI ka deklaruar sot se kreu i saj Ilir Meta  do të angazhojë një studio ligjore në Romë për të hapur një proces tjetër gjyqësor ndaj gazetës La Republica, per shpifje ndaj personit të tij, pranë Gjykatave italiane.

Lajmi eshte bere me dije nga Ardit Cela, sekretar per marredheniet me publikun prane kesaj partie. Gjate  nje konference per shtyp ai publikoi  3 vendimet e Gjykatave italiane të cilat dënojnë gazetën italiane La Republica me 50,000 euro për t’iu paguar z. Ilir Meta për shpifje ndaj personit të tij, si dhe detyron këtë gazetë të kërkojë falje publike, të botojë vendimin e Gjykatës, si dhe të paguajë të gjitha shpenzimet legale të seancave gjyqësore.

“Kjo gazetë jo-serioze, e cila është dënuar edhe më parë për shpifje dhe manipulime, ka guxuar përsëri të fabrikojë një të ashtuquajtur intervistë të z. Ilir Meta, me qëllim interesash të luftës së brendshme politike në Itali. Dua të konfirmoj se Z. Meta jo vetëm që nuk e ka dhënë apo autorizuar një intervistë të tillë, por një personi që e ka telefonuar atë në emër të gazetës këtë javë, i ka bërë të qartë se do të pranonte të jepte një intervistë për La Republica, vetëm pasi kjo e fundit të kishte botuar vendimin e Gjykatës që dënon gazetën”- tha ai.

Cela, sqaroi se drejtuesi i gazetës L’Avanti, z. Lavitola, të cilin sikurse ka deklaruar më parë, z. Meta e njeh prej kohësh si përfaqësues të medias italiane, ka qenë i pranishëm në një konferencë shtypi gjatë vizitës zyrtare të z. Meta në Romë, ashtu si edhe shumë gazetarë të tjerë. “Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me z. Frattini, është përshëndetur me z. Lavitola, ashtu si me shumë gazetarë të tjerë italianë dhe shqiptarë, në hollin e ambjenteve të konferencës”- tha ai.

Sipas tij, makinacionet dhe fabrikimet e segmenteve të caktuara për të manipuluar të vërtetën, me qëllim dëmtimin e figurës së z. Frattini, janë të papranueshme për z. Meta, pasi z. Frattini ka dhënë një kontribut të vecantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, duke qenë njëkohësisht arkitekt i Udhërrëfyesit të këtij procesi të rëndësishëm.

 

 

© Panorama.al

Te lidhura