Loja me granatë i merr jetën një 9-vjeçari dhe plagos rëndë vëllain e tij 4 vjeç.Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, në fshatin Shënmrizë, komuna Pishaj, në Gramsh. Dy vëllezërit Nesiti, i madhi Eri dhe më i vogli Orgeto, mësohet se kishin dalë për të luajtur jashtë shtëpisë. Nga burime të policisë që shkuan në vendngjarje mësohet se ata i janë drejtuar një kasolleje të vjetër që ndodhej rreth 10 metra larg shtëpisë së tyre. Aty kanë gjetur një granatë e përcaktuar si e llojit ofensive, me bosht. Djali i madh e ka marrë në duar municionin luftarak dhe pa e ditur rrezikshmërinë e tij, ka tërhequr ndezësin. Shpërthimi në duar ka qenë fatal për jetën e të miturit, i cili është gjetur nga familjarët pa asnjë shenjë jete. Ka shpëtuar fatmirësisht nga vdekja e sigurt 4-vjeçari, i cili ndodhej disa metra më larg. Megjithatë forca e goditjes e ka lënë dhe atë të plagosur dhe pas mjekimit në spitalin e Gramshit ai është transportuar me urgjencë drejt Tiranës. Mjekët që i dhanë ndihmën e parë pohuan se i mituri ka dëmtime në fytyrë, në trup dhe i nevojitet ndihmë më e specializuar. Policia e Gramshit, e njoftuar për këtë ngjarje, u nis drejt vendit ku ndodhi vdekja e fëmijës. Forcat e saj kanë këqyrur vendin e shpërthimit, duke kontrolluar më tej për municionet e rrezikshme. Në fakt, nën tokë, në zonën ku ndodhi shpërthimi janë gjetur dhe 5 granata të ngjashme. Dyshimet e para të policisë ranë mbi babanë e fëmijëve, por nga deklarimet e nënës dhe të gjyshërve të tyre, u hodh poshtë kjo pistë. Sipas tyre, nëse do ta dinin që në kasollen e braktisur kishte granata, nuk do t’i lejonin që të hynin aty. Babai i dy fëmijëve, Gjergji, prej disa kohësh është emigrant në shtetin grek dhe dy fëmijët jetonin me gjyshërit e tyre dhe mamanë. Mendohet se granatat ndodheshin në kasolle prej vitit 1997 dhe nuk dihet se kush i ka fshehur aty. Familja Nesiti ka deklaruar se në kasolle kishin futur objekte që nuk i përdornin më.
Qyteti i Gramshit, para viteve ’90 njihej si qyteti i grumbullimit të municioneve, ndërsa po në këtë qytet ndodhet edhe uzina e armatimit në Cekin, fshehur mes maleve të Gramshit, e cila demonton armë. Kryetari i komunës Pishaj, Hasim Cekrezi, pohon se në këtë komunë nuk ekziston asnjë depo armatimi, pasi të gjitha janë boshatisur vite më parë.
6 granata
ishin të fshehura nën tokë në kasollen e familjes Nesiti, njëra prej të cilave shpërtheu duke i marrë jetën djalit të madh të shtëpisë dhe plagosur rëndë vëllain e tij 4-vjeçar
Precedenti në Kolonjë
Një 20-vjeçar humbi jetën në fshatin Taç të Kolonjës si pasojë e shpërthimit të një predhe. I riu Besian Agolli gjeti vdekjen ndërsa po përpiqej të sharronte një predhë që do ta përdorte për skrap. Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 prill, kur viktima e kishte marrë predhën e rëndë dhe e kishte vendosur në oborr të shtëpisë me qëllim për ta çmontuar atë. Ai i ka kërkuar ndihmë edhe së motrës në momentin që po e sharronte, por kjo e fundit, nga frika, nuk ka pranuar të afrohej. Pak minuta më pas, një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në të gjithë fshatin, duke i marrë jetën 20-vjeçarit.
© Panorama.al











