Gjykata e Krimeve të Rënda liroi dje nga paraburgimi pesë adoleshentë shkodranë që u arrestuan me bujë javën e kaluar pas gjobëvënies 80 mijë euro ndaj një biznesmeni në këtë qytet.Pesë adoleshentët e arrestuar akuzohen se në disa mesazhe telefonike, përveç gjobës 80 mijë euro, i kërkonin familjes së biznesmenit edhe moslajmërimin e policisë, pasi në të kundërt: “do të kishte pasoja”. Gjykata për Krimet e Rënda liroi dje të pestë minorenët e arrestuar në Shkodër pak ditë më parë, për “gjobë-vënien” me 80 mijë euro të një biznesmeni të qytetit. Në vendimin e saj, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për të pandehurit Dedë Sh., Denato N., Grelindo G., Ernaldo K. dhe Flavio Gj, për shkak të moshës së tyre të mitur dhe faktit që janë duke ndjekur studimet. Ata akuzohen për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” në bashkëpunim si edhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Sipas Prokurorisë, ngjarja kishte për “fillese” pakënaqësinë e Grelindo G., për mospagimin e orëve shtesë të punës një vit më parë, teksa ishte i punësuar tek biznesmeni Xhavit Kasemi.
HISTORIA
Prokurori i çështjes, Ende Nakuci, zbardhi dje para gjykatës për Krimet e Rënda të gjithë “rrjedhën” e ndodhisë së pak ditëve më parë në Shkodër, ku protagonistë të një gjobvënieje 80 mijë euro u bënë pesë minorenë. Sipas Prokurorisë, gjithçka ka nisur në 14 prill 2011 kur një person i panjohur i ka telefonuar bashkëshortes së biznesmenit Xhavit Kasemi. Në telefonate i panjohuri e pyeste nëse ajo e kishte lexuar mesazhin telefonik të dërguar në numrin e saj të telefonit një natë me parë. E dëmtuara e ka lexuar mesazhin (sms) ku i kërkohej të paguante 80 mijë euro, duke i kërcënuar jetën e të shoqit. Në këtë kohë ajo ishte duke ikur në Mal të Zi. Kur është kthyer nga Mali i Zi, ka marrë një sms tjetër ku i thuhej se “Nuk i keni sjellë paratë. Dimë ne si të veprojmë ndryshe”. Gjithashtu, në mesazhet e dërguara kërkohej edhe mossinjalizimi i policisë për atë që po ndodhte. “Nëse lajmëroni policinë, do të ketë pasoja”, mësohet të shënohej në mesazhet telefonike. Pasi janë vënë në dijeni organet e rendit mbi situatë, Prokuroria ka vënë në përgjim telefonat e të miturve. Vetë të dëmtuarit, bashkëshortët Kasemi, kanë deklaruar se nuk kishin asnjë konflikt me asnjë person në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë, i pandehuri Grelindo G. ka siguruar edhe një pistoletë, të cilën e ka marrë tek i pandehuri Dedë Sh. Ditën e ngjarjes ai i ka blerë të njëjtit edhe tre plumba. Gjatë bisedave telefonike të përgjuara mes keqbërësve dhe të dëmtuarës, e dëmtuara u thotë që kishte bërë gati vetëm gjysmat e lekëve. Po sipas bisedave, Grelindo G. i thotë Denato N. që “ajo ka vetëm gjysmat” dhe e pyet “na dalin?”. Ndërkohë që Denato N. i përgjigjet “Po!”. Duke u druajtur nga policia, ata i kanë kërkuar të dëmtuarës që paratë t’ua hidhte nga ballkoni. Por teksa është afruar me një motor, të cilin e kishte siguruar nga një prej të pandehurve të tjerë, Grelindo G. është vënë re prania e policisë. Gjatë largimit me motor, ai është rrëzuar dhe është kapur nga një oficer i zonës. Më pas është bërë arrestimi i tij në kushtet e flagrancës. Ndërkohë që më vonë është bërë ndalimi edhe i katër personave të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij.
Adoleshentët siguruan pistoletë për t’i bërë presion biznesmenit
TIRANE – Për të qenë “bindës” dhe të “frikshëm” në “misionin” e tyre si gjobëvënës, adoleshentët e akuzuar për kërcënimet e familjes së biznesmenit kishin siguruar edhe një pistoletë. Sipas Prokurorisë, pistoletën e llojit “zastava” e kishte blerë Grelindo G., tek i pandehuri tjetër Dedë Sh. Ndërkohë ditën e ngjarjes ai i kishte blerë edhe 3 plumba për këtë pistoletë. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, plumbat ishin blerë sërish tek i pandehuri Dedë Sh. Bisedat telefonike mbi “pazarin” janë administruar në përgjimet e Prokurorisë. Ndërkohë që si motiv të “planit”, Prokuroria cilëson “hakmarrjen” e Grelindo G. ndaj biznesmenit Kasemi, ish-punëdhënës i tij. Sipas Prokurorisë, Grelindo G. kishte punuar verën e kaluar në një fabrikë në pronësi të biznesmenit, në ambalazhimin e pijeve. “I pandehuri Gerlindo G. ka punuar gjatë muajve të verës së kaluar në fabrikën e biznesmenit”, tha prokurori. Por, sipas pretendimeve të të miturit, biznesmeni Kasemi nuk i kishte paguar atij orët shtese, të cila në ditë shkonin në shifrën 400 lekë (të rinj) në ditë. Për këtë, të pandehurit kanë vendosur të ndërmarrin aktin kriminal, duke i vendosur biznesmenit një “gjobë”. ar.ba
Në “detyrim paraqitje”
Grelindo G., 16 vjeç
Akuza: “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje të armeve luftarake”
Flavio Gj., 16 vjeç
Akuza:: “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim
Ernaldo K., 16 vjeç
Akua: “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim
Denato N., 17 vjeç
Akuza: “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim, dhe “mbajtje pa leje të municionit luftarak”
Dedë Sh., 18 vjeç
Akuza: “mbajtje të armëve dhe municionit pa leje”
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











