TIRANE- Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë së shpejti për të normalizuar situatën e rënduar të Liqenit Artificial të Tiranës. Gjatë inspetkimit të gjendjes ditën e sotme, nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti e cilësoi këtë një problem të trashëguar, duke shtuar se ka ardhur koha që të ballafaqohemi energjikisht me këtë problem.
Panariti ishte i shoqëruar edhe nga grupi i punës që ka ngritur Bashkia në lidhje me situatën e krijuar nga ulja e nivelit të ujit dhe ndotja e tij.
Sipas Bashkisë së Tiranës është menduar që ndërhyrjet të jenë në tre drejtime; ndalimi i shkarkimit të ujërave të zeza në Liqen nga baret dhe restorantet; bllokimi i hedhjes së inerteve nga firmat e ndërtimit që ushtrojnë aktivitetin në atë zonë si dhe në afatgjatë, nisja e punës për aktivizuar kanalin që e lidh Liqenin Artificial me atë të Farkës, gjë që mundëson ekuilibrin hidrik dhe mosrënien e nivelit të ujit.











