Erdhi në jetë fëmija i katërt i Presidentit francez, Nicolas Sarcozy dhe i dyti për bashkëshorten, ish-modelen Carla Bruni. Zonja e parë falënderon të gjithë ata që e kanë uruar për lindjen e vajzës dhe bën të njohur emrin e vogëlushes, duke rrëzuar gjithë variantet e lakuara në media. Dahlia? Izabela? Jo, jo nuk është e vërtetë. Emri i saj është Xhulia (Giulia). Njeriu i parë i Francës, Nicolas Sarcozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, janë bërë me vajzë. Ndonëse ishin hapur fjalët se do të quhej Dahlia, apo edhe Izabela, ka qenë vetë Bruni, që duke falënderuar të gjithë ata që e kanë uruar, ka bërë të njohur emrin e vajzës së saj përmes faqes së saj në internet. “Jam shumë e prekur prej mesazheve të shumta dhe urimet që më vijnë pas lindjes së vajzës sonë të vogël Xhulia. Në këtë moment të gëzuar, bashkëshorti im bashkohet me mua për të falënderuar ngrohtësisht të gjithë ata që na kanë dërguar shprehjen e tyre të simpatisë”, shkruan Bruni në gjuhën frënge. Kështu që zgjedhja ka peshuar më së shumti nga ana italiane. Ndërkohë, ende nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar mbi këtë ngjarje në familjen presidenciale. Duket se Sarcozy është shumë i zënë me shpëtimin e euros, së bashku me Kancelaren
gjermane, Angela Merkel. E shtruar mëngjesin e së enjtes në klinikën “La Muette” në Paris, ish-modelja i ka dhënë jetë vajzës së saj në orën 20:00, pas orësh të gjata dhimbjeje. Klinika ka qenë e blinduar nga rojet e sigurisë, të cilët nuk lejonin gazetarët e kameramanët e shumtë që kishin rrethuar godinën. Mësohet se gjatë lindjes nuk ka qenë i pranishëm Presidenti francez, i cili këto ditë u gjend në Gjermani, por me të mësuar lajmin është kthyer menjëherë në Paris për të parë vogëlushen e porsalindur. Për Brunin, Xhulia është fëmija e dytë, pas Aurelienit, lindur 10 vjet më parë, ndërsa për Sarcozy-në është fëmija i katërt. Kjo është hera e parë që një president francez bëhet baba gjatë mandatit të tij, ndaj dhe këtij rasti i është kushtuar një vëmendje e veçantë nga Presidenca. Duket se prindërit do bëjnë ç’është e mundur që ta mbajnë Xhulian larg paparacëve dhe bliceve të fotografëve. “Djali im i madh u ekspozua një herë dhe jo në një situatë publike, por private. Ishte një gabim i madh. Nuk duhej ta kisha marrë kurrë me vete për të vizituar atë sit arkeologjik. Duhet ta kisha parashikuar që do të ishin fotografët. U tregova e pavëmendshme”, është shprehur Bruni, ndërkohë që nuk dihet nëse do t’ia dalë ta mbajë larg vëmendjes mediatike vajzën e saj të vogël.











