Lika, apel Bashkisë: Pa rroga ikin të gjithë

Nov 22, 2011 | 9:30

Mesfushori i bardhebluve: Vllaznia më josh, por dua titullin. Financat? Gjithçka në dorë të Bashkisë, përndryshe…”

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari shprehet i nderuar për këtë interesim, ndaj nuk ngurron që të falënderojë. Por, nga krahu tjetër është nën kontratë me ekipin kryeqytetas dhe ka ndër mend ta respektojë atë. Qëllimi i tij sezonal është të marrë një titull si bardheblu dhe këtë e sheh totalisht të realizueshme. “Nuk kam se si të mos ndihem mirë, në momentin që skuadra ku unë jam formuar si futbollist shpreh hapur interesimin kundrejt meje. Jam i nderuar, pasi Vllazninë e kam në zemër. Ka qenë pikërisht ky ekip që më dha shansin të luaj futboll dhe të jem ky që jam. Mirëpo të jemi realistë, unë jam futbollist i Tiranës dhe për këtë kam nënshkruar një kontratë që duhet respektuar. Ndaj është e vështirë të flas për një lëvizje të tillë, për më tepër kur merkatoja do kohë që të hapet. E vetmja gjë që pres, është që në ekip të mos ketë probleme financiare, pasi atëherë edhe mund ta rishikoja pozicionin tim. Gjithçka në dorë e ka Bashkia dhe shpresoj që ata të mos e hedhin poshtë gjithçka ne kemi ndërtuar”, – tha Lika, i cili nuk heziton të falënderojë Halilin, i cili po bën diçka që nuk i takon, dhënien e rrogave. Gilman Lika ka fituar deri më tani vetëm dy trofe, atë të Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës me Tiranën. Mirëpo, shkodrani nuk kënaqet me kaq, pasi i ka vënë qëllim vetes që të këtë sezon të fitojë edhe një titull si bardheblu. “Lufta për titullin po bëhet e ashpër, por edhe e bukur njëkohësisht. Durrsakët po bëjnë një punë të mirë dhe këtë nuk ua hedhim dot poshtë, por ne s’dorëzohemi për kreun, ndaj i paralajmërojmë se shumë shpejt do ta rimarrim kryesimin. Qëllimi im dhe i gjithë skuadrës është që ta fitojmë titullin këtë sezon dhe kurrsesi nuk do të doja ta humbisja një event të tillë. Jemi në rrugë të mbarë, pasi vetëm dy pikë na ndajnë nga vendi i parë. Jam i sigurt që në fund të kësaj faze do të bëjmë rokadë me Teutën”, – shtoi mesfushori. Sakaq, Tirana fitoi kundër Tomorit në një ndeshje të kontestuar. Por për Likën ato që vlejnë janë pikët, ndaj nuk do të merret me pjesën e gjykimit. “Fituam dhe kjo na kënaq, pasi jemi në hapin e kryesuesve. Nuk ka qenë një ndër ndeshjet tona më të mira, duke marrë në konsideratë edhe fushën, por në fund ia dolëm. Megjithatë, më duken të pabaza akuzat e beratasve, pasi goli pikë së pari nuk ishte dhe nga krahu tjetër portieri i tyre meritonte të kuq, pasi preku topin me dorë jashtë zone. Duke llogaritur këtu, jemi ne që duhet të ankohemi dhe jo ata. Megjithatë, edhe këtë ndeshje e hedhim pas krahëve, pasi në prag kemi një javë të ngjeshur, meqenëse në mesjavë ndeshemi me Apoloninë dhe në fundjavë me Dinamon. Besoj se do marrim maksimumin dhe, nëse ndodh kështu, dy fitore do ta na jepnin zemër”, – thotë me bindje shkodrani i bardhebluve.

Dëmtimi
Julian Ahmataj vazhdon të jetë i dëmtuar, ndaj edhe Rubio nuk e aktivizoi kundër Tomorit, pasi nuk ka dashur që ta rrezikojë. Mbrojtësi elbasanas edhe dje është stërvitur veçmas grupit dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë i gatshëm në mesjavë, ku Tirana do të përballet me Apoloninë në kuadër të kupës. Megjithatë, ai ka shanse që të rikthehet në derbin ndaj Dinamos.

© Panorama.al

Te lidhura