
Maxhoranca pranon propozimin e opozitës për kufirin jugor.
Kthehet në fuqi ligji i 2008. Kufiri, 12 milje nga bregu.
Shqipëria përcakton kufirin detar me Greqinë, tre vjet pas rrëzimit në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes mes dy vendeve. Komisioni i Ligjeve pranoi dje me konsensus një propozim të Grupit Parlamentar të PS-së për caktimin e koordinatave në një gjerësi prej 12 miljesh detare të kufirit.
Pas diskutimit deputetët ranë dakord me një variant të ofruar gjatë mbledhjes nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani, për rikthimin në fuqi të nenit 3 të ligjit të vitit 2001, i cili ishte shfuqizuar në vitin 2008. Në nenin që merr sërish fuqi thuhet: “Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi)”. Gjatë mbledhjes së Komisionit, nismëtari i këtij drafti, Ilir Gjoni, tha se “ky ligj i propozuar nga qeveria nuk ka asnjë nen që të lidhet me ujërat territoriale. Ndërsa për kufirin në tërësi ka vetëm një nen, sipas të cilit ai vendoset në bazë të traktateve mes dy vendeve. Duke shfuqizuar ligjin e vitit 2001, Shqipëria ka shfuqizuar vijën e drejtë bazë të Republikës së Shqipërisë, ka shfuqizuar gjerësinë e detit territorial prej 12 miljesh detare të Shqipërisë. Ne gjykojmë që të bëhet amendimi i nenit 3 ashtu siç e kemi propozuar ne, që vendi ynë të mos ngelë me kufij të papërcaktuar, sidomos pas një periudhe 100-vjeçare që ne jemi si shtet”. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, theksoi se megjithëse marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, kufiri tokësor mes dy vendeve është përcaktuar në bazë të piramidave, për të cilat ka takime të shpeshta. “Sa i takon kufirit tokësor me Greqinë, megjithëse nuk ka një marrëveshje të nënshkruar mes dy vendeve, nisur nga protokolli i nënshkruar në vitin 1985, kemi një regjim të njohjes së kufirit përmes piramidave. Parimisht nuk jemi kundër propozimit të PS-së. Paragrafi i parë i propozimit të PS-së është i reflektuar plotësisht në ligjin aktual për kontrollin e kufirit”, u shpreh Nishani. Megjithëse ligji kaloi me konsensus, kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, u përplas me deputetin Sajmir Tahiri, lidhur me një pyetje që ky i fundit bëri për kanalin e Korfuzit. Pas debatit mes tyre mbledhja u ndërpre për 15 minuta, kohë gjatë së cilës Rusmali, Gjoni dhe Nishani gjetën edhe formulimin konsensual të ligjit.
Debati në Komisionin e Ligjeve
Ilir Gjoni: Duke shfuqizuar ligjin e vitit 2001, Shqipëria ka shfuqizuar vijën e drejtë bazë të Republikës së Shqipërisë, ka shfuqizuar gjerësinë e detit territorial prej 12 miljesh detare të Shqipërisë. Ne gjykojmë që të bëhet amendimi i nenit 3, ashtu siç e kemi propozuar ne, që vendi ynë të mos ngelë me kufij të papërcaktuar, sidomos pas një periudhe 100-vjeçare që ne jemi si shtet.
Bujar Nishani: Pas rrëzimit të Marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese krijohet një situatë e cila duhet ta qartësojmë pjesën e asaj që zoti Gjoni paraqiti, vijën bazë të bregdetit. Sa i takon kufirit tokësor me Greqinë, megjithëse nuk ka një marrëveshje të nënshkruar mes dy vendeve, nisur nga protokolli i nënshkruar më 1985-n, kemi një regjim të njohjes së kufirit përmes piramidave. Parimisht nuk jemi kundër propozimit të PS-së. Paragrafi i dytë është pjesa më e rëndësishme. Duke pasur parasysh që kërkohet një specifikim më i detajuar i vijës bazë, pavarësisht se te ligji për rojën bregdetare thuhet se ‘vija bazë kuptohet tërësia e vija të drejta që bashkon kepet dhe pikat më të dala të bregdetit shqiptar’ dhe kërkohet më e detajuar, jam dakord që ky propozim të reflektohet në legjislacionin tonë. Por ne propozojmë dy mënyra për ta bërë këtë: ose të firormulohet duke u ndryshuar neni 53 i shfuqizimeve te ligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, ose ky paragraf të futet te ligji për rojën bregdetare.
Sajmir Tahiri: Përtej dakordësisë në parim për projektin e propozuar, kam disa pyetje që më ndihmojnë mua ta kuptoj pak më mirë situatën sot, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që hodhi poshtë një marrëveshje të negociuar nga shteti shqiptar me një shtet fqinj. Sot që flasim, nga autoritetet shqiptare a njihet zyrtarisht kjo e bashkëndarë me palën tjetër një vijë kufitare detare në kanalin e Korfuzit? A ka sot një vijë kufitare të bashkëpranuar nga të dyja palët, veçanërisht për kanalin e Korfuzit? Mund të vazhdoj me të gjitha pyetjet, kryetar?
Ilir Rusmali: Pyetjet që lidhen me projektligjin, apo jo?
Sajmir Tahiri: Po, të gjitha që lidhen me projektligjin.
Ilir Rusmali: Nëse ti do të bësh pyetje për kulturë të përgjithshme mbrapa, të garantoj unë një kafe me ministrin dhe ulemi e diskutojmë çdo gjë të kulturës së përgjithshme. Nismën e ka marrë Grupi socialist. Që Grupi socialist të ketë pyetje për nismën, është habi më vete, por megjithatë, pyetjet kanë lidhje me nismën jo në tërësi, jo vendimi i Gjykatës, jo si është situata këtu dhe atje, jo gjeopolitika, jo zgjedhjet në Greqi! Nuk na duhen. Na duhen pyetje në lidhje me nismën. Në qoftë se i ke në lidhje me nismën, bujrëm.
Sajmir Tahiri: Tani është mirë që të mos paragjykoni pyetjet e mia. Unë me shumë dashamirësi jam duke pyetur ministrin dhe përfaqësuesit e Ekzekutivit, dhe nuk kam asnjë shqetësim në lidhje me këto që po pyes. Nëse ministri e ndien që është pyetje që nuk i përket çështjes, mund edhe të mos përgjigjeni.
Ilir Rusmali: Pyetja e parë s’ka lidhje me nismën dhe nuk ka mundësi ta marrë fjalën ministri, se nuk e lë unë ta marrë. Ke lidhur me nismën, bujrëm 100 pyetje, ja ku e ke, se për këtë punë jemi. Ose ndryshe organizohemi, mor vëlla, seancë dëgjimore për çdo problem që të intereson për zbatimin e legjislacionit. Por sot kemi rend dite.
Sajmir Tahiri: Tani, a ka mundësi të heshtësh dhe të flas unë, se po flet shumë?
Ilir Rusmali: Po, ka mundësi.
Sajmir Tahiri: Mos na e acaro kot këtë mbledhje.
Ilir Rusmali: Si kryetar i Komisionit…
Sajmir Tahiri: Më lër të mbaroj.
Ilir Rusmali: Dhjetë minuta pushim, të dalin kamerat përjashta. Debil.
Sajmir Tahiri: Mos më fol mua ashtu.
Mbledhja rifillon pas 15 minutash, ku Rusmali së bashku me Gjonin dhe Nishanin negociuan propozimin e paraqitur nga Grupi i PS-së.
Bujar Nishani: Propozimi ynë është ky, që neni 53 ndryshohet si më poshtë: “Neni 53 shfuqizime: ligji nr. 8771 datë 19.4.2001 për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, përveç nenit 3 të tij, ligji nr. 8772 datë 19.4.2001 për ruajtjen e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohet”.
Ilir Gjoni: Parimisht jam dakord, siç diskutuam edhe më parë.
Neni 3
Ujërat territoriale dhe ujërat e brendshme1. Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi).
2. Janë ujëra të brendshme të Republikës së Shqipërisë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e përmendur në pikën 1 të këtij neni dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











