Ligji i ri, tatimfitimi pagesë çdo 3 muaj

May 18, 2012 | 13:28

Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit Konsultativ të Biznesit

Takimi me Këshillin Konsultativ të Biznesit: Akciza, të shtyhet deri në janar 2013, kalimi i kompetencave.

Biznesi: Do na shtojë kostot, më mirë të paguhet pas aktivitetit.

Biznesi do ta paguajë tatimfitimin çdo tre muaj, me kushtin që kjo të bëhet para datës 1 të muajit të katërt. Ministria e Financave ka qenë e prerë në qëndrimin e saj, duke e argumentuar këtë nismë me uljen e kostove për kompanitë. Gjatë takimit të Këshillit Konsultativ të Biznesit, ditën e djeshme zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, shpjegoi se kjo do t’u mundësojë bizneseve që të kursejnë kohë dhe 13 këstet që paguheshin më herët, të konvertohen në 5 të tilla të barasvlershme. Lidhur me kundërshtimin e biznesit për parapagim të tre muajve që në muajin e parë, Rushaj sqaroi se biznesi ka kohë që pagimin e tatimfitimit ta bëjë deri në datën 15 të muajit të tretë ose mund të ndjekë dhe procedurën aktuale. “Kemi kuptuar që parapagesa e muajit janar, shkurt, mars është kuptuar si një shtim i kostos që biznesi mund të ketë, por dua të them qartë që nuk është ky qëllimi ynë. Qëllimi ynë është që të paguhet një herë në tre muaj dhe mund të jetë në mars për periudhën janar, shkurt, mars. Jemi shumë fleksibël në këtë drejtim. Por çdo tatimpagues që do kishte dëshirën ta parapaguante me këste mujore, siç është sot, mund të vazhdojë ta bëjë pranë Tatimeve”, tha zëvendësministri. Por biznesi nga ana e tij, duke vlerësuar situatën e vështirë në të cilën gjendet për shkak edhe të vonesave që vijnë në pagesa nga tregtia në vendet fqinje, kërkoi që tatimfitimi të paguhet pas aktivitetit. Gjergj Gjika propozoi që pagesa për tre muaj bashkë të bëhet në muajin e katërt, por kjo është refuzuar nga Financat. Gjatë takimit të djeshëm, Këshilli Konsultativ i Biznesit diskutoi edhe lidhur me projektvendimin për dispozitat zbatuese të ligjit për akcizat, i cili aktualisht është ngrirë në Parlament. Biznesi ngriti si shqetësim faktin që ka mbetur shumë pak kohë për kalimin e përgjegjësisë së administrimit të akcizës nga Tatimet te Doganat. Ligji përcakton që kjo kompetencë kalon më 1 korrik, por ka mbetur më pak se një muaj e gjysmë dhe ligji ende nuk ka hyrë në fuqi, duke mos lënë kohë as për biznesin dhe as për Doganat që të kryejnë proceset e nevojshme. Përfaqësuesi Luan Leka u shpreh se afati i implementimit duket të shtyhet. “Lidhur me procedurën e aplikimit për magazinat fiskale. Ka një afat në ligj dhe mendoj që duke parë kompleksitetin e procedurës, afati është i pamjaftueshëm dhe duhet të jetë minimalisht fundi i vitit dhe jo korriku”, u shpreh Leka.

Jo garanci, sigurim të detyruar
Kundërshtimi i fortë që biznesi i ka bërë pagesës së garancisë për akcizën është përsëritur edhe dje, por këtë herë me propozimin që kjo garanci të zëvendësohet me sigurim të detyrueshëm. Kjo sipas biznesit do ta vendosë në kushte pak më të favorshme biznesin. Për Ministrinë e Financave, instrumentet e parashikuara në ligjin për akcizat, siç është dorëzania, janë alternativa të mjaftueshme lehtësuese, duke i lënë hapësira biznesit për mënyrën që e sheh më me pak kosto.

Ligji i Tatimit mbi të ardhurat
Neni 30, pika 1

Është
Gjatë periudhës vijuese tatimore tatimpaguesi parapaguan në llogarinë e organeve tatimore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji
Bëhet
Gjatë periudhës vijuese tatimore, tatimpaguesi parapaguan në llogarinë e organeve tatimore këste tremujore të tatimit mbi fitimin jo më vonë se data 15 e muajit janar, prill, korrik dhe  tetor. Kur tatimpaguesi realizon fitimin, këstet mund të paguhen në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura