Pas kaosit në Kuvend, mblidhet Grupi i PS. Braçe: Pas “marrëveshjes”, PS duhet të dëshmojë se është opozitë. Xhafaj: S’jemi kartonë. Rama: Ju kam thënë të jeni gati që në shtator
Befasia me të cilën u miratua marrëveshja dhe shpejtësia për ta zbatuar atë me miratim në komisione dhe seancën plenare të tri kodeve të para, nxori në pah qëndrimet e ndryshme në Grupin Parlamentar socialist. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, duke argumentuar dhe qëndrimin e deputetëve socialistë në këtë komision, tha se PS duhet të kërkojë një proces të plotë, gjithëpërfshirës dhe transparent për të miratuar këto kode, Detar, Hekurudhor dhe Ajror, duke treguar sipas tij një tjetër filozofi nga ajo e PD-së. “Ne nuk kemi pse nxitojmë që në seancën e parë që t’i miratojmë. Ne jemi dy filozofi të ndryshme, për PD është çështje kartonësh miratimi i këtyre ligjeve, ndërsa për ne është çështje procesi sa më demokratik dhe transparent. Ne nuk duhet ta kthejmë në formalitet, sepse po humbasim kredibilitetin e procesit. Unë propozoj që këto të shtyhen pak në kohë, por duke respektuar afatin e marrëveshjes”, mësohet të ketë thënë Xhafaj në mbledhjen e Grupit. Por kreu socialist i është përgjigjur se komisionet kanë pasur të gjithë kohën e mjaftueshme për të bërë propozimet e nevojshme për to. “Ju kemi thënë që në shtator që të bëni gati amendamentet për ligjet me 3/5-at dhe tani ato duhet të ishin gati. Këto amendamente duhet të ishin konsultuar me grupet e interesit dhe sot ato duhet të ishin në formën e kompletuar dhe të certifikuara. Të gjithë eksperiencën që keni grumbulluar, hidheni në diskutime për ligjet”, është shprehur Rama. Por dhe deputetë të tjerë, si Eduard Shalsi, Dashamir Peza, Ilir Gjoni etj., kanë qenë të mendimit se nuk duhet nxituar në miratimin e kodeve. Nënkryetari i Grupit socialist, Erion Braçe, mungonte dje në mbledhje, por në adresën e tij në Facebook shprehte rezerva për marrëveshjen e arritur me PD. “Pas ‘Marrëveshjes’, PS duhet të kujtojë dhe dëshmojë se është opozitë! Kujdes! Nuk ka ndryshuar gjë! Nuk ka ndryshuar gjë në Kushtetutë, deformimet e rënda të saj janë po aty! Nuk ka ndryshuar gjë në zgjedhjen e hierarkisë shtetërore; posaçërisht zgjedhja e Presidentit është po ajo dhe garanton një shtet partiak! Pra, një President, një Kuvend, një Kryeministër, një sistem Drejtësie-KLD, Gjykata, Prokurori, pastaj Polici, Ushtri, SHISH, KLSH nga një parti”, shprehet Braçe. Pritet që në seancën e së enjtes socialistët të japin votën e tyre për Kodin Hekurudhor dhe Ajror dhe për ligjin “Për bankat”. Gjithashtu, grupi u njoh me katër emrat që do jenë pjesë e Komisionit për reformën zgjedhore: Arben Isaraj, Vasilika Hysi, Armando Subashi dhe Damian Gjiknuri.
Debatet në grupin e PS
Fatmir Xhafaj: Ne duhet të mbështesim konsensusin e arritur dhe duhet t’i qëndrojmë kësaj. Nga ana tjetër, kemi disa data që nuk janë detyruese; e vërtetë që kemi tri ligje me 3/5-at, por ato kanë një afat deri në dhjetor për t’u miratuar. Ne nuk kemi pse nxitojmë që në seancën e parë që t’i miratojmë. Ne jemi dy filozofi të ndryshme, për PD është çështje kartonësh miratimi i këtyre ligjeve, ndërsa për ne është çështje procesi sa më demokratik dhe transparent. Ne nuk duhet ta kthejmë në formalitet, sepse po humbasim kredibilitetin e procesit. Unë propozoj që këto të shtyhen pak në kohë, por duke respektuar afatin e marrëveshjes; ministritë që i kanë në varësi këto ligje, të shprehen nëse kanë ndonjë gjë të re për këto ligje; të përfshihen dhe grupet e interesit në këtë diskutim, për regjimin detar, rrugor dhe ajror. Problem tek ne nuk janë autoshkollat.
Edi Rama: Ju kemi thënë që në shtator që të bëni gati amendamentet për ligjet me 3/5-at dhe tani ato duhet të ishin gati. Këto amendamente duhet të ishin konsultuar me grupet e interesit dhe sot ato duhet të ishin në formën e kompletuar dhe të certifikuara. Të gjithë eksperiencën që keni grumbulluar, hidheni në diskutime për ligjet. Për këtë ne nuk kemi thënë jo. Erdhi momenti që ju t’i përdornit argumentet dhe amendimet që duheshin.
Eduard Shalsi: Nuk m’u dha koha e duhur që të përgatisja propozimet. As 24 orë kohë që unë të përgatitesha për të diskutuar, por megjithatë ne i miratuam në komisionin tonë për të respektuar marrëveshjen e arritur.
Edi Rama: O Shals, të kam thënë që para dy muajsh të ngresh grupet e punës, nga kush e pret nga unë që të konsultohem me ekspertët dhe grupet e interesit?! Nuk mund të bëhemi para ndërkombëtarëve si pengesa e proceseve integruese. Ajo që ka rëndësi të madhe, është korrupsioni dhe kodet e sistemit të drejtësisë, të cilave ne u kemi lënë një kohë edhe më të gjatë debati dhe diskutimi.
Piro Lutaj: Kodi Rrugor në këtë formë që ka ardhur, ka shumë probleme. Ai nuk mund të miratohet në këtë formë. Në këtë konkluzion kam arritur në konsultim me ekspertë, prandaj ne s’duhet ta miratojmë menjëherë pa bërë ndryshime.
Damian Gjiknuri: Është rënë dakord të miratohen tri kodet e para sipas një kalendari. Ata kanë pranuar disa nga propozimet tona, por ka shumë faktorë të tjerë që ndikojnë mbi Shqipërinë, nuk është thjesht çështje e një partie apo e dy partive. Procedurat parlamentare nuk na heqin mundësinë e konsultimit me grupet e interesit.
Gramoz Ruçi: Kjo është një negociatë. Ata lëshuan tek ato gjëra që ne kërkuam, si p.sh. Rregullorja e Kuvendit, për të cilën Saliu nuk ishte dakord që në fillim. Ne lëshuam tek ato gjëra që nuk bllokojnë integrimin europian të vendit. Nuk po themi që të miratohen brenda kësaj jave, por duhet të respektohet kalendari i miratuar nga Konferenca e kryetarëve.
Malaj: Marrëveshja me PD ishte domosdoshmëri
Deputeti i PS-së, Arben Malaj, tha dje se marrëveshja me PD-në ishte një domosdoshmëri për opozitën. “Arritja e një marrëveshjeje pas dy dështimeve të përsëritura ishte bërë domosdoshmëri. Tashmë politika shqiptare ka detyrimin që këtë marrëveshje ta vendosë si garanci për vlerësimin që kërkon nga BE-ja për të mos vonuar më statusin e vendit kandidat. Ajo që është deklaruar duhet të materializohet. Duhet të ketë përgjegjshmëri maksimale që të avancohet në marrëveshje. Marrëveshja në tri elementet e saj ka nevojë për një diskutim më të plotë, për një bashkëveprim me aleatët politikë, për të qenë jo thjesht një dalje nga kriza, por një marrëveshje që të prodhojë efekte pozitive”, tha Malaj.
Aristir Lumezi











